Dy marrëveshjet e huasë – 22 mln euro për manaxhimin e mbetjeve në Vlorë

Qeveria ka depozituar në Kuvend dy marrëveshje tregtare për akordim kredie nga Republika Federale e Gjermanisë në vlerën e rreth 22 milionë euro, për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës. Buxheti i njësive të qeverisjes vendore për menaxhimin e mbetjeve thuhet se është i kufizuar dhe sigurohet nga mbledhja e tarifave për mbetjet, e njohur si “Tarifa e pastrimit”, të cilat vendosen nga njësitë e qeverisjes vendore sipas ligjit mbi taksat lokale.
Qeveria argumenton se nevojat për financim në këtë sektor janë shumë të mëdha dhe në “Strategjinë Kombëtare dhe Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve”, është parashkiuar nevoja për rreth 150 milionë euro investime në infrastrukturë në këtë sektor dhe nga 50 milionë për çdo vit për menaxhim. Kjo vlerë është shumë larg mundësive të buxhetit të shtetit dhe njësive të qeverisjes vendore.
Nga buxheti i shtetit dhe donatorët, për infrastrukturën e sektorit të mbetjeve, parashikohet financim prej rreth 5 milionë eurosh në vit, i cili cilësohet si i pamjaftueshëm në krahasim me nevojat e sektorit. Me anë të kësaj marrëveshjeje thuhet se dy qeveritë bien dakord për akordimin e një kredie me kushte të favorshme nga qeveria gjermane, me vlerë prej 12 milionë eurosh dhe një granti prej 2.5 milionë eurosh, financime këto që do të vihen në dispozicion nëpërmjet KFW-së.
Projekti që do të financohet nëpërmjet kredisë dhe grantit si më sipër, është parashikuar në programin buxhetor afatmesëm, 2017-2019, dhe më konkretisht në programin “Mbetjet urbane”, të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.
Projektligji tjetër i depozituar në Kuvend synon ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Këshillit të Ministrave – për bashkëpunim financiar për vitin 2016 për projektin “Program për menaxhimin e mbetjeve pjesa e dytë.
Me anë të kësaj marrëveshje dy qeveritë bien dakord për akordimin e një granti nga qeveria Gjermane, me vlerën 7.5 milionë euro, i cili do të vihet në dispozicion nëpërmjet KFW-së.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.