Dy paketa të reja shëndetësore falas – Lehtësim për të sëmurët me kancer dhe perde në sy

Duke nisur nga viti i ardhshëm, dy paketa të reja shëndetësore do të ofrohen falas në spitalet e vendit. Deklarata erdhi nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë kongresit të tretë ndërkombëtar multidisiplinar “Inovacionet në mjekësi”, i cili po zhvillon punimet në Tiranë.
“Për herë të parë dy paketa të reja shëndetësore, paketa e radioterapisë dhe paketa e kataraktit do të ofrohen nga viti i ardhshëm pa pagesë, në spitalet publike dhe jopublike, duke lehtësuar radhët e pritjes për pacientët, duke zgjeruar shërbimin dhe duke garantuar cilësinë konform standardeve bashkëkohore”, tha Manastirliu.
Radioterapia është një nga trajtimet onkologjike që përdor rrezatimin jonizues për eliminimin e qelizave tumorale. Ndërsa paketa e kataraktit do të ofrojë kurimin falas për kataraktin, të njohur edhe si perde e syrit, e cila është një veshje e syrit që çon në përkeqësimin e shikimit.
Paketat e shërbimeve shëndetësore dhe kostot përkatëse do të mbulohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Në konferencën e zhvilluar për të tretin vit radhazi marrin pjesë mjekë, infermierë, studentë, stomatologë nga vendi si dhe figura mjekësh të shquar nga Ballkani, Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.