Dy prokurorë shtesë për SPAK – KLP nis procedurat për zgjedhjen e emrave, do përdoret procedura e ngritjes në detyrë
Fluksi i madh i çështje ka detyruar KLP-në të shtojë me dy prokurorë të tjerë numrin e anëtarëve SPAK. Të hënë Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpalli garën për përzgjedhjen e 2 emrave që do t’i shtohen SPAK, të cilët do të përfshihen në këtë organ përmes procedurës së ngritjes në detyrë. Kërkesa ka ardhur nga
Kreu i sapoemëruar i këtij organi, Arben Kraja, i cili e ka justifikuar këtë nevojë me fluksin e madh të çështjeve të bartura, por edhe atyre që po depozitohen ditë pas dite. Kreu i SPAK ka propozuar edhe dy emra konkretë për vendet vakante që janë Drejtuesja e Prokurorisë së Beratit, Eloida Goxhi, dhe drejtuesin e Prokurorisë së Pogradecit, Sotir Kllapi.
Të dy magjistratët kanë kaluar me sukses sitën e Vetting-ut. Vlen të theksohet se vetëm gjatë ditëve të fundit, SPAK ka nisur procedimet për dy çështje të rëndësishme, siç është padia për koncesionin e sterilizimit në mjekësi, si dhe akuzat për konsum droge në publik të ngritura ndaj Kryetarit të Bashkisë së Bulqizës Lefter Alla.
Për të dy rastet SPAK ka nisur depozitimin e dëshmive dhe hapat e nevojshëm proceduralë. Aktualisht SPAK numëron 10 anëtarë, 8 të emëruar dhe dy të komanduar, ndërkohë që fillimisht ishte parashikuar që struktura e posaçme antikorrupsion të niste punën me 15 prokurorë të emëruar.
Por është procesi i Vetting-ut ai që pengon Këshillin e Lartë të Prokurorisë të ketë numrat e nevojshëm për plotësimin e vakancave siç përcakton ligji.
Disa prej kandidatëve për SPAK nuk kaluan dot sitën e Vetting-ut, ndërkohë që pritet që disa emra të tjerë të kalojnë përfundimisht procesin e rivlerësimit për t/u bërë pjesë e saj.
Paralelisht SPAK ka çelur garën për përzgjedhjen e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, struktura e hetuesve që do të punojë për llogari të prolurorisë së posaçme për procedimin e rasteve të korrupsionit në rangje të larta dhe krimit të organizuar.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.