Dyfishohet kërkesa e polakëve për pushime në Shqipëri – Çmimet për paketë dhe destinacionet e preferuara

Shtimi i paketave të operatorëve turistikë polakë për pushime në Shqipëri ka sjellë një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për atë çfarë polakët e shohin një një copëz e Ballkanit më pak e komercializuar. Për ta, kjo nënkupton çmime më të ulëta dhe mundësi për të përballuar më shumë luks.
Të dhënat e fundit të shoqatës së operatorëve turistikë polakë tregojnë se Shqipëria ka arritur të hyjë në destinacionet e preferuara, duke u renditur e 9-ta pas Kroacisë dhe para Kubës e Qipros për sezonin 2016/2017.
Vendi ynë ka rritjen më të madhe në këtë aspekt, me 113% krahasuar me vitin e kaluar. Për t’i dhënë një një dimension numerik, vetëm për periudhën Qershor-Gusht 2016, ishin mbi 45 mijë turistë polakë që vizituan vendin tonë.
“Një vend i vogël mesdhetar me bukuri natyrore të paprekura, i cili shtrihet nga malet e lartë, tek fushat me lulëkuqe (që është edhe lulja e tyre kombëtare) e deri tek plazhet e mrekullueshme”, janë këto fjalët që agjencitë përdorin për të inkurajuar turizmin në vendin tonë. Flitet për pozitën e veçantë gjeografike mes lindjes dhe perëndimit, flitet për historinë dhe natyrën.
Polakët dinë më pak për vendin tonë se sa dinë për Greqinë apo Spanjën, të cilat janë dy destinacionet e preferuara, por me shtimin e informacionit në media, kjo gjë do të ndryshojë.
Udhëtimet e polakëve drejt Tiranës janë rritur me 145% gjatë vitit të fundit dhe me shtimin e linjave low-cost, më shumë turistë do të vinë. Kjo pasi polakët preferojnë të udhëtojnë me linja ajrore, 77,9% të totalit të udhëtimeve.
Vetëm për Majin, çmimi mesatar për person që një turist polak shpenzon për paketat në Shqipëri është 2295 PLN, ose 547 euro. Duke qenë se pothuajse të gjitha paketat prenotohen në çift, mesatarja e çmimit të paguar për paketë është 1237 euro.
Kjo i leverdis jo vetëm vendit tonë por edhe vetë agjencive turistike në Poloni, pasi shifra është më e lartë se mesatarja e paketave në Bullgari, Egjipt apo Kroaci, të cilat renditen sipër nesh.
Kjo ndodh për faktin se turistët llogarisin çmimet e lira të ushqimit dhe të shpenzimeve të tjera, ndaj preferojnë të qëndrojnë kryesisht në hotele me 4 yje, 62% e rezervimeve.
Në vendin tonë, 70% e rezervimeve janë për paketa all-inclusive, ndërsa destinacionet më popullore janë Durrësi (70%), Golemi (10%) dhe Saranda (9%). Shëngjini është një tjetër destinacion me kërkesë në rritje. Megjithatë, ofertat e agjencive mbeten të kufizuara tek këto zona dhe nuk janë shtrirë në pikat e tjera të nxehta turistike në jugun e vendit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.