Dyndje refugjatësh në Shqipëri/IOM: 1199 që prej fillimit të këtij viti. Euronews: Shqipëria, shtegu i ri
Janë plot 1199 refugjatë që vlerësohet se kanë hyrë në Shqipëri që prej fillimit të këtij viti. Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Emigrantëve flasin për fillimin e një vale të re refugjatësh dhe aktivizimin e rrugës së Ballkanit.
Ky rrugëtim ka qenë si një minë me sahat për vendet e Ballkanit Perëndimor, e sidomos për Shqipërinë, Malin e Zi e Bosnje Hercegovinën, pasi që prej vitit 2015 është folur për mundësinë e dyndjes së refugjatëve nga Lindja e Mesme, por marrëveshja e Bashkimit Europian me Turqinë dhe hapja e portave nga Italia bën që ky rrugëtim të bllokohej.
Tashmë që marrëveshja me Turqinë duket e kapitulluar dhe në një kohë që qeveria e re italiane i ka thënë hapur jo refugjatëve, Shqipëria do të bëhet një pikë kalimi strategjike e refugjatëve, të cilët synojnë Europën Perëndimore.
Prej muajsh, vendet e rajonit kanë dhënë alarmin se diçka e tillë do të ndodhte. Zyrtarë të lartë të qeverive të rajonit, përfshirë atë shqiptare janë dakordësuar që të parandalojnë një krizë të ngjashme me atë të 2015-ës.
Edhe gjigandi Euronews i ka dedikuar një reportazh Shqipërisë, duke saktësuar se rrugëtimi i ri i refugjatëve fillon pikërisht nga Shqipëria.
Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Emigrantëve tregojnë se, në Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë numri i refugjatëve është bindshëm më i lartë se në vendin tonë. Muaji Mars duket se ka qenë ai më problematiku për Shqipërinë deri më tani, me rreth 400 refugjatë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.