E ardhmja e ekonomisë, Sejko: Çelësi, konkurrenca e ndershme dhe Bursa
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të enjten gjatë raportimit vjetor në Kuvendin e Shqipërisë se rritja më e lartë ekonomike do të kërkojë përmirësim të klimës së biznesit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare.
Guvernatori përsëriti optimizmin se në vitet në vazhdim përmirësimi i kërkesës do të nxisë një rritje më të lartë të prodhimit, punësimit dhe pagave në ekonomi.
Por, sipas tij, në një horizont më afatgjatë është e domosdoshme që klima e biznesit të përmirësohet, sidomos në drejtim të garantimit të konkurrencës së ndershme.
Ai vuri një theks të veçantë në nevojën për të zgjeruar tregjet financiare. Nëse deri më sot kreditimi është mbështetur pothuajse tërësisht te sistemi bankar, rritja dhe dinamizmi i mëtejshëm i ekonomisë do të kërkojë domosdoshmërish zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe instrumenteve të Bursës.
Banka e Shqipërisë vlerëson se normat e ulëta të interesit kanë kontribuar me 0.7 pikë përqindje në rritjen ekonomike të vitit të kaluar, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në rimëkëmbjen e rritjes ekonomike.
Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar, ekonomia shqiptare u rrit me 3.84% dhe u krijuan 79 mijë vende të reja të pune.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.