E ardhmja e internetit – Zgjerohet brezi 4G, projektohet 5G
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka nisur një konsultim të ri publik për dhënien në përdorim të brezit 800Mhz.
Ky brez është drejt lirimit të plotë nga transmetimet televizive analoge dhe, siç është planifikuar prej vitesh, do të vihet në dispozicion të AKEP, për të mundësuar zgjerimin e kapaciteteve të internetit me brez të gjerë nga rrjetet e lëvizshme.
Ndërkohë, për herë të parë AKEP ka bërë të ditur në një dokument zyrtar edhe strategjitë e ardhshme për brezin e gjeneratës së ardhshme, 5G. Për këtë brez pritet të përdoret një brez më i ulët i bandës UHF, frekuenca 700 Mhz.
Sidoqoftë, ky hap i ri do të kërkojë ende shumë vite. Edhe në tregjet më të zhvilluara, rrjetet 5G janë në hapat eksperimentalë të përdorimit për ofrimin e shërbimeve komerciale.
Rritja e përdorimit të shërbimeve që mbështeten te interneti me brez të gjerë nga rrjetet celulare po sjell një nevojë në rritje për më shumë kapacitete transmetuese.
Rrjetet e lëvizshme janë një alternativë e rëndësishme në tregun shqiptar, që ka ende një depërtim të ulët të linjave fizike, sidomos jashtë qendrave të mëdha urbane.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.