E ardhmja e pagesave – Shoqata e Bankave, trajnim për direktivën e re
Shoqata Shqiptare e Bankave organizoi të enjten një trajnim lidhur me direktivën e re të Bashkimit Europian për pagesat, të njohur si PSD 2.
Kjo direktivë pritet të ndryshojë në mënyrë rrënjësore mënyrën si funksionon marrëdhënia e klientit me bankën, sidomos në drejtim të pagesave.
Klientët mund të kryejnë pagesa nga llogaria e tyre bankare edhe përmes palëve të treta, si për shembull Google, Facebook apo Apple. Praktikisht, çdo kompani e tretë mund të ofrojë shërbime financiare, mbështetur në infrastrukturën dhe të dhënat e bankave.
“Bankingu dixhital është strategjia e vetme afatmesme që bankat duhet të ndjekin për t’u përgatitur për sfidat e reja në sektorin bankar. Sot kemi zgjedhur një aspekt të pagesave që ka shkaktuar debate, direktivën PSD2. Për sistemin bankar shqiptar kjo nuk do të jetë e detyrueshme dhe nuk presim që të jemi të gatshëm ta zbatojmë sot. Megjithatë, është e rëndësishme të dimë se cilat janë standardet që duhet të ndjekim dhe çfarë na rezervon e ardhmja e afërt”.
Direktiva parashikon që klientët të autorizojnë palë të treta për të pasur akses në llogaritë e tyre bankare dhe për të menaxhuar financat e tyre.
Kjo do të thotë që bankat nuk do të konkurrojnë vetëm me njëra tjetrën, por edhe me ofruesit e rinj të shërbimeve financiare, kryesisht kompanitë e teknologjisë financiare, të ashtuquajturat ‘fintech’.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.