“E çuditshme”/ Alarmohen studiuesit – Ja çfarë po i “vret” më së shumti bletët
Një mostër e kohëve të fundit nga mjalti në botë i ka dhënë shkencëtarëve dëshmi të reja për atë se çfarë i vret më së shumti bletët.
Një studim i botuar më 6 Tetor në revistën “Science” zbuloi se një sasi e konsiderueshme e mjaltit në botë përmban neonicotinoide, një klasë e pesticideve të përdorura zakonisht, gjë që mund të shkaktojë në nivele mjaft të forta, dëme në trurin e bletës.
Dëmtimi në popullatën e bletëve ka qenë global, ndaj kjo ka krijuar shumë pikëpyetje dhe habi nga ana e studiuesve, raporton SCAN.
Sasia e neonicotinoidëve në mjaltë nuk është në nivelin që do të ishte i rrezikshëm për njerëzit, thotë hulumtimi.
Por studiuesit arritën në rezultatin e përmendur më sipër, pasi analizuan 198 mostra të mjaltit nga e gjithë bota, duke testuar pesë neonicotinoidet e zakonshme: acetamiprid, clothianidin, imidacloprid, thiacloprid dhe thiamethoxam.
Shkencëtarët për vite me radhë janë përpjekur të kuptojnë se çfarë po e “vret” popullatën e bletëve, ndaj BE dhe SHBA kanë marrë masa kohët e fundit. Studiuesit vazhdimisht kanë renditur si shkaktarë ndotjen, pesticidet, por edhe disa shkaktarë të tjerë.
Kështu, Bashkimi Evropian në vitin 2013 vendosi një ndalim të pjesshëm të pesticideve me neonikotinoidet, ndërkohë edhe SHBA herë pas herë ka ndërmarrë të njëjtën masë.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.