E majta humbet edhe bastionet – Zgjedhjet lokale në Itali, Toscana kalon djathtas
E majta italiane ka humbur edhe bastionet e saj kryesore në zgjedhjet e pjesshme lokale që u zhvilluan këtë fundjavë. Kështu, në Toscana kanë fituar kandidatët e qendrës së djathtë, duke zëvendësuar kështu hegjemoninë historike të së majtës në këto territore. Pisa, Siena dhe Masa janë bastionet e humbura nga Partia Demokrate.
Në të tre këto qytete të Toskanës kanë fituar kandidatët e qendrës së djathtë. Pisa ndërkohë ka votuar kandidatin e Ligës së Veriut çka e bën edhe më të vështirë situatën për partinë demokrate. E majta ka fituar vetëm në Brindizi. Rezultati i këtyre zgjedhjeve meriton një vëmendje maksimale pasi tregon se partitë populiste kanë mbështetje reale në popullsi, madje edhe atje ku nuk mund të imagjinohej më parë dominimi i të djathtëve, e sidomos i partive kundër emigrantëve.
Janë pikërisht këta, arsyeja e vërtetë e fitores së Ligës së Veriut dhe lëvizjes 5 yjet. Fluksi i madh i refugjatëve nëpër qytetet italiane dhe problemet që kanë lindur së fundmi me sigurinë kanë bërë që e djathta të fitojë, edhe pse me diferencë të vogël.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.