E PAPRECEDENTË/ Bizneset e liberalizuar, pa çmim energjie! – ERE s’ka miratuar ende vendimin, “në pritje” rreth 7500 sipërmarrje

Pavarësisht se është tejkaluar çdo afat kohor, Enti Rregullator i Energjisë nuk ka miratuar çmimin me të cilin do të faturohen për muajin janar bizneset, që kanë dalë në treg të lirë energjie. Këtu përfshihen të gjithë ato biznese, që aktualisht furnizohen me energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, që aktualisht është Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHEE Group.
Sipas rregullores në fuqi, FSHU është e detyruar që jo më vonë se data 5 e muajit pasardhës të paraqesë në ERE aplikimin për përcaktimin e çmimit për shitjet e energjisë elektrike, duke përfshirë kostot e identifikuara nga Furnizuesi për muajin aktual. Ndërkohë që, deri në përcaktimin e çmimit nga ERE, konsumatori faturohet, me çmimin më të lartë të blerjes se energjisë elektrike për periudhën në të cilën furnizohet.
Pas kësaj, ERE duhet të vendosë çmimin e shitjes së energjisë elektrike jo më vonë se 15 ditë nga paraqitja e aplikimit, ndërsa jo më vonë se 5 ditë nga vendimi i ERE për korrigjimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike, mes palëve lëshohet një faturë me të gjithë kompensimet për diferencat. Kjo do të thotë se për muajin janar, deri në datën 25 shkurt, do të duhej të ishin mbyllur të gjitha procedurat, por kjo nuk ka ndodhur.
Burime pranë ERE-s thanë për TV SCAN se vendimi nuk është miratuar për shkak të aplikimit të paqartë që është paraqitur nga FSHU-së. Kjo edhe për faktin se janari është muaji i parë i daljes së tregun e liberalizuar të bizneseve të lidhur në tensionin 20 KV. Ndërkaq, vendosja e këtij çmimi merr një rëndëis të veçantë për këto biznese, të cilët po përballen me çmime tejet të larta të energjisë. Aktualisht, janë rreth 20 kompani të lidhur në tensionin 35 KV, si dhe rreth 7500 biznese të lidhur në tensionin 20 KV, që furnizohen nga FSHU.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.