E pazakontë/ Kompania që paguan 1.300 dollarë për të parë 13 filma horror. Kriteret
Një kompani financiare do të paguajë një individ 1.300 dollarë për të parë 13 filma horror në tetor, në përpjekje për të gjetur nëse madhësia e buxhetit të një filmi ndikon në efektivitetin e tij.
FinanceBuzz po kërkon të punësojë dikë që të jetë analist i rrahjeve të zemrës së filmave horror. Personi do të shikojë 13 nga filmat më të frikshëm të bërë ndonjëherë, ndërsa i monitorohen rrahjet e zemrës duke përdorur Fitbit, tha kompania në një njoftim për shtyp.
“Për nder të sezonit të ardhshëm drithërues, ne në FinanceBuzz po vdesim të dimë nëse filmat horror me buxhet të lartë frikësojnë më shumë sesa ato me buxhet të ulët” thuhet në njoftim.
Pjesëmarrësit të zgjedhur i kërkohet të shikojë filmat e mëposhtëm midis 9 tetorit dhe 18 tetorit: Saw, Amityville Horror, A Quiet Place, A Quiet Place Part 2, Candyman, Insidious, The Blair Witch Project, Sinister, Get Out, The Purge, Halloween (2018), Paranormal Activity dhe Annabelle.
Aplikimet duhet të përfundojnë deri më 26 shtator, dhe FinanceBuzz do të zgjedhë një fitues deri më 1 tetor. Personi duhet të jetë mbi 18 vjeç dhe i bazuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burimi origjinal: CNN
Përshtati në shqip: SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.