E propozuar dy vite më parë: OKB do të votojë për masën që i shtyn shtetet e përhershme të Këshillit të Sigurimit të justifikojnë përdorimin e vetos!

193 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara do të votojnë mbi një rezolutë që do t’u kërkonte pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të justifikojnë përdorimin e tyre të vetos në të ardhmen.
Diskutimet për reformën e vetos janë të rralla dhe të diskutueshme, por janë ringjallur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Duke synuar drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar të cilët janë të vetmit mbajtës të së drejtës së vetos, masa do t’i “bënte ata të paguajnë një çmim më të lartë politik” kur ata vendosin të përdorin veton e tyre për të goditur një rezolutë e Këshillit të Sigurimit, tha një ambasador nga një vend që nuk ka të drejtën e vetos dhe i cili kërkoi të mbetet anonim.
Kritikët e quajnë masën e prezantuar nga Lihtenshtajni, një “reformë e thjeshtë procedurale”.
Por nuk është ende e qartë nëse reforma do t’i shtynte pesë anëtarët e përhershëm të përdorin më pak të drejtën e vetos, ose nëse do të krijonte edhe më shumë veto pasi anëtarët e përhershëm propozojnë tekste të diskutueshme, ata e dinë se rivalët e tyre do të vënë veton vetëm për t’i detyruar ata të justifikojnë qëndrimin e tyre publikisht.
Propozuar për herë të parë më shumë se dy vjet më parë, masa parashikon që Asambleja e Përgjithshme të mblidhet brenda 10 ditëve pune pasi një anëtar i përhershëm përdor të drejtën e vetos “për të zhvilluar një debat mbi situatën për të cilën u hodh veto”, sipas tekstit.
Rreth gjashtëdhjetë vende i janë bashkuar Lihtenshtajnit në bashkësponsorizimin e reformës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, një tubim i shpejtë i mbështetjes që shkaktoi habi të gjerë në OKB.
Britania dhe Franca do të votojnë për reformën, edhe pse abstenuan nga bashkësponsorizimi i saj.
As Rusia dhe as Kina nuk ishin ndër sponsorët e tekstit. Një diplomat nga një prej dy vendeve, i cili kërkoi të mos përmendet emri, kritikoi masën, duke thënë se do ta “ndajë” OKB-në edhe më tej.
Masa do të “krijojë një procedurë të re”, tha ambasadori i Lihtenshtajnit, Christian Wenaweser, i cili këmbënguli se propozimi “nuk është kundër askujt”.
“Nuk është e drejtuar kundër Rusisë,” tha ai, pavarësisht faktit se propozimi ishte ‘i ngrirë’ për më shumë se dy vjet dhe ringjallja e tij erdhi pasi Këshilli i Sigurimit ka rezultuar i paaftë për të dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë, për shkak të të drejtës së vetos së Moskës.
Nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, është e qartë se Rusia ka abuzuar me të drejtën e vetos për dy dekada dhe teksti i propozuar synon ta korrigjojë këtë.
Wenaweser tha se teksti synon “të promovojë rolin e Kombeve të Bashkuara, të promovojë multilateralizmin dhe të promovojë zërin e të gjithë neve që nuk jemi mbajtës të vetos dhe që nuk jemi në Këshillin e Sigurimit për çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
Teksti nuk është detyrues dhe asgjë nuk e pengon një vend që ka përdorur veton e tij të refuzojë t’i shpjegojë veprimet e tij Asamblesë së Përgjithshme.
Por aplikimi i tij “do të hedhë dritë” mbi përdorimin e së drejtës së vetos dhe mbi “blloqet” brenda Këshillit të Sigurimit, tha një ambasador, në kushte anonimiteti.
Përveç pesë anëtarëve të përhershëm, Këshilli i Sigurimit ka edhe 10 anëtarë të zgjedhur për dy vjet, pa të drejtë vetoje.
Midis bashkë-sponsorizuesve të rezolutës janë, përveç Ukrainës, edhe Japonia dhe Gjermania, të cilat shpresojnë të bëhen anëtarë të përhershëm në një Këshill të Sigurimit të zgjeruar potencialisht.
Por as Brazili dhe as India, dy kandidatë të tjerë të mundshëm për një pozicion të përhershëm në Këshill, nuk janë në listën e bashkë-sponsorizuesve të siguruar nga AFP.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.