EC: Pas përmbytjes, rrezik rrëshqitja e dherave dhe shkëmbinjve. Ja zonat më problematike
Rrëshqitja e dherave dhe shkëmbinjve për shkak të erozionit janë edhe dy rreziqet kryesore pas përmbytjeve. Sipas të dhënave të Emergjencave Civile, rrëshqitjet paraqiten problematike në Brataj të Vlorës dhe në zonën e Pogradecit.
Ndërkohë që EC njofton se po merren masa për parandalimin e dëmeve të mundshme, iu bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes në zonat me risk të lartë erozioni.
Nga të dhënat e fundit të Emergjencave Civile, rreth 70 qytetarë të evakuuar në Tiranë dhe Fier vijojnë të jenë të akomoduar në qendrat sociale. Nga raporti i fundit, zonat më të prekura rezultojnë të jenë Fieri, Lushnja dhe Vlora.
Kështu, bëhet me dije se ka filluar dezinfektimi I banesave, shkollave, qendrave shëndetësore, thertoreve, minimarketeve përkatësisht në qytetet si Gjirokastër, Vlorë, Berat, Ura Vajgurore dhe Krujë. Sipas EC, për urat dhe segmentet rrugore të cilat kanë nevojë për një ndërhyrje afatgjatë, ka nisur vlerësimi inxhinierik, ndërkohë që akset kombëtare janë të hapura.
“Mësimi nuk është zhvilluar në 13 shkolla. Janë marrë masat që nesër të rifillojë mësimi edhe në 6 shkolla të tjera. Furnizimi me energji elektrike është normalizuar dhe po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur. Në zonat e prekura ka nisur shpërndarja e ndihmave,” thuhet më tej në raportin fundit të EC.
Ndërkohë, EC rikujton edhe një herë llogaritë bankare të hapura për të interesuarit të cilët dëshirojnë të japin kontributin e tyre për të prekurit nga përmbytjet.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.