Ecuria e pages minimale ndër vite – 25 vite histori, plot 20 herë ndryshime
Që prej 1 janarit të këtij viti, kushdo që është i punësuar në republikën e Shqipërisë nuk mund të paguhet më pak se 30 mijë lekë në muaj. Ndryshimi i fundit me ligj i pagës minimale në vendin tonë rezulton të jetë i 20-ti në histori në total, që prej vitit 1995, bashkë me disa vite ku realisht rritja ka qenë thjesht indeksim. Ndryshe nga të gjitha vitet e tjera gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm, rritja e 1 janarit 2021 është e paprecedentë, pasi për herë të parë vjen në masën 4000 lekë.
Në harkun e 25 viteve, rritja e pagës minimale ka qenë progresive. Deri në vitin 2005 rritja e pagës minimale ka qenë e dobët. Pas vitit 2005 është futur një standard i ri, me rritje të paktën 2 mijë lekë, paçka se jo çdo vit. Në 2007-ën, 2012-ën dhe periudhën 2013-2017, si dhe në 2018 dhe 2020-ën, nuk ka pasur asnjë rritje të këtij indikatori. Paga minimale i referohet 174 orëve punë në muaj, dhe me ndryshimin e ri, pagesa minimale për orë pune në vendin tonë shkon në 172 lekë në orë.
Rritja e pagës minimale, në mënyrë të tillë, pra në masën 15%, si dhe të pajustifikuar nga ecuria e ekonomisë dhe indikatorëve kyç gjatë muajve he vitit të fundit, vlerësohet nga biznesi si një kosto shtesë për ta, në kohë krize. Rritja e pagës minimale sjell ndër të tjera, ndryshim të barrës fiskale të bizneseve për shkak të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ajo që bie tjetër në sy nga shifrat është fakti se dy herët që është “guxuar” për herë të parë me rritjen më të madhe të pagës minimale i referohen një viti elektoral; 2017 dhe 2021.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.