Ecuria e sektorit bujqësor – Rritje e lehtë e prodhimit gjatë 2017-ës
Prodhimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale është regjistruar me një rritje të lehtë gjatë vitit 2017 në shumicën e aktiviteteve bujqësore.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, duke marrë për bazë parashikimet, rritje të vogël, në krahasim me vitin e kaluar është vënë re në perime, agrumet +1%, foragjere 1%, vezët me 1% dhe leshi 13%.
Edhe pse bujqësia konsiderohet si motori i zhvillimit të ekonomisë, të dhënat tregojnë se fermerët thuajse kanë mbetur në vend numëro sa i përket prodhimtarisë, duke mos tentuar zgjerimin e hektarëve dhe apo rritjen e volumit.
Sipas të dhënave rritje thuajse e pandjeshme vihet re në produktet e grurë, misër, perime, elb, ndërsa me rënie të lehtë janë produktet patate, duhan, luledielli sojë.
Sa i përket perimeve që janë edhe zëri kryesor në eksport, vendi ka prodhuar rreth 1.139.000 ton perime gjatë 2017-ës, nga 1.129.000 ton që janë prodhuar një vit më parë.
Rritje e lehtë e prodhimit vihet re edhe në pemëtari, ku përfshihen pemët frutore, agrume, ullinj dhe rrush. Ndërsa në kategorinë e blegtorisë, rënie ka pësuar vetëm prodhimi i mjaltit.
Skemat subvencionuese të qeverisë për vitin 2018 prej 20 milion euro si dhe Programi i BE IPARD i cili vë në dispozicion 94 milion euro për fermerët, duket se kanë si qëllim kryesor, ndër të tjera edhe rritjen e prodhimit në vend.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.