Ecuria e vaksinimit për COVID-19 – MSH: Janë kryer 725 135 injektime, 34.4% i kanë marrë të dyja dozat
Deri në datën 25 maj në vendin tonë janë kryer 725 135 doza të vaksinës për COVID-19, ndërkohë që 249 898 apo rreth 34.4% e tyre i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke theksuar se vaksinimi po kryhet me një kalendar të kombinuar për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Në raport me 10 ditë më parë, ajo që vihet re është një rritje e lehtë e personave që i kanë marrë të dyja dozat, duke qenë se deri në 14 maj, i kishin marrë të dyja doza 30% e të vaksinës.
Në ditët e fundit vendi ynë u përball me një ulje të ritmit të vaksinimit për shkak të mungesave të vaksinës, kryesisht asaj Coronavac, me të cilën është vaksinuar edhe pjesa më e madhe e popullatës. Kjo solli edhe një shtyrje të ditës së parashikuar për dozën e dytë, ndërkohë që sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, kjo nuk përbënte problem, pasi sipas tyre shtyrja e intervalit të vaksinimit, të paktën për vaksinën e Pfizer, nxit rritjen e pikut të prodhimit të kundërtrupave tek personat e moshuar.
Ndërkaq, në datën 23 maj, në vendin tonë mbërritën 60 mijë doza të vaksinës kineze, çka është reflektuar edhe në rritjen e numrit ë vaksinimeve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit u kryen 8 519 vaksinime.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.