Edhe 6 vite në pushtet – Putin arrin fitoren e radhës në një kohë të konflikteve me perëndimin

Presidenti rus Vladimir Putin zgjati pushtetin e tij me 6 vite të tjera, në një kohë të përkeqësimit të marrëdhënieve me perëndimin. Fitorja e Putin do ta zgjasë sundimin e tij politik në thuajse çerek shekulli, deri në vitin 2024.
Ai ka premtuar se do ta përdorë mandatin e ri për të shtuar mbrojtjen e Rusisë ndaj perëndimit dhe rritur standardet e jetesës në vend. Duke lajmëruar rezultatin që nuk kishte dyshim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lajmëroi se Putin fitoi 76.66% me thuajse të gjithë votat të numëruara.
Putin e interpretoi fitoren si një votë të besimit, prej arritjeve të tij në vitet e fundit. Mbështetur nga mediat shtetërore, partia qeverisëse dhe me një normë të pranimit në mbi 80%, ai nuk u përball me kërcënime nga 7 kandidatët e tjerë.
Rivali më i afërt, kandidati i partisë komuniste, Pavel Grudinin, fitoi 11.8%, ndërsa nacionalisti Vladimir Zhirinovsky morri 5.6%.Pjesëmarrja në votim arriti në 67.47%, afër 70% që synohej nga administrata.
Presidenti kinez, Xi Jinping ishte ndër të parët që uroi Putin për fitoren, ndërsa nga liderët në perëndim nuk pati ndonjë reagim. Në një kohë të përplasjeve me perëndimin mbi Sirinë, Ukrainën, akuzave për ndërhyrje në zgjedhje, sulmeve kibernetike dhe për helmimin e ish-spiunit rus në Britani, marrëdhëniet e Moskës me perëndimin janë përkeqësuar ndjeshëm.
Sanksionet e vendosura për mbështetjen e separatistëve pro-Rusisë në Ukrainën lindore vazhdojnë të dëmtojnë ekonominë ruse, që doli nga recesioni vitin e kaluar.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.