Edhe AstraZeneca probleme me prodhimin – “Për Evropën volumi i vaksinave nuk do jetë siç pritej”

Një paralajmërim nga AstraZeneca se furnizimet fillestare të vaksinave të saj Covid-19 të lidhura me Evropën do të jenë më të ulëta se sa pritej ka shkaktuar shqetësim të ri, me disa vende që planifikojnë një rënie të shpejtë të dërgesave.
Njoftimi i së premtes nga firma farmaceutike britanike pasoi një tjetër javën e kaluar nga Pfizer, e cila tha se do të vononte dërgesat e vaksinës së saj deri në një muaj për shkak të punimeve në fabrikën e saj kryesore në Belgjikë.
Paralajmërimet e ndërmarrjeve vijnë ndërsa shqetësimi për variantet e reja Covid-19 është rritur, veçanërisht ai që u shfaq në Britani dhe që është më infektues sesa origjinali.
Evropa tani ka regjistruar më shumë se 692,000 vdekje nga viruset dhe gati 32 milion infeksione.
BE deri më tani ka miratuar vaksinat nga Pfizer dhe partneri i saj gjerman BioNTech si dhe nga kompania amerikane Moderna.
Ajo ende nuk e ka miratuar vaksinën nga AstraZeneca dhe partneri i saj Universiteti i Oksfordit, por pritet të marrë një vendim deri më 29 janar.
AstraZeneca tha në deklaratën e saj se nëse jepet miratimi i BE, “vëllimet fillestare do të jenë më të ulëta nga sa parashikohej”, megjithëse fillimi nuk do të vonohej.
Kompania fajësoi “rendimentet e reduktuara në një vend prodhimi brenda zinxhirit tonë të furnizimit Evropian”. Ajo tha se në çdo rast do të furnizonte BE me “miliona doza” ndërsa rriste prodhimin në shkurt dhe mars.
Njoftimi çoi në “pakënaqësi të thellë” nga vendet anëtare të BE, të cilat “këmbëngulin për një orar të saktë të dorëzimit”, tha Komisionerja Evropiane për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit Stella Kyriakides.
D.B – SCAN
Burimi: France24
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.