Edhe Barcelona shkon në Kinë – Plani i presidentit Xi dhe përfitimet për klubet

Barcelona do të shtohet në listën e klubeve europiane që investojnë në futbollin në Kinë. Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu ka vendosur t’i bashkohet planit ambicioz të presidentit kinez Xi Jinping për një revolucion sportiv.
“Një nga projektet e tij më të mëdha është të zgjerojë futbollin në Kinë. Ky është kontributi ynë i vogël në këtë projekt të madh”, tha Bartomeu gjatë udhëtimit të tij në Kinë për hapjen e një kompleksi me vlerën e 4 milionë eurove.
Kompleksi në ishullin Hainan do të përfshijë një shkollë futbolli, një dyqan të Barcelonës dhe një zonë për fansat.
Presidenti Xi është një fans i futbollit dhe dëshiron ta rrisë fuqinë futbollistike të shtetit me më shumë banorë në botë, në mënyrë që të konkurrojë në nivele ndërkombëtare, të presë Kupën e Botës dhe ta fitojë atë.
Klubet që mbështesin nismën e tij nga ana tjetër, kërkojnë të fitojnë sponsora dhe fansa në Kinë, duke i ndihmuar klubet me shitjet e fanellave dhe të drejtave sportive.
Ndër klubet e tjera që kanë investuar muajt e fundit në Kinë përfshihen Bayern dhe Wolfsburg, të cilët kanë hapur zyra në Shanghai dhe Pekin.
Klubet të cilat kanë pronësi kineze si Inter dhe Milan mendojnë se janë të avantazhuara në gjetjen e mbështetjes së publikut, por më së shumti ndikon performanca në fushën e lojës. Klubet e suksesshme në botë si United, City, Barcelona, Arsenal dhe Bayern janë edhe ato që kanë më shumë mbështetës në vend.
Një mënyrë tjetër për të fituar mbështetës është prodhimi i përmbajtjeve të dedikuara ndaj publikut kinez: Manchester City ka nisur një reality show në Guangdong, ndërsa Napoli dhe Tottenham kanë prodhuar transmetime ekskluzive me prezantues kinezë, të cilat kanë rezultuar shumë të ndjekura.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.