Edhe Holanda ndalon AstraZeneca nën 60-vjeç – Raportohen pesë raste me mpiksje gjaku, një grua ndahet nga jeta
Qeveria holandeze ka ndjekur vendimin e Gjermanisë pasi njoftoi se e ka pezulluar menjëherë përdorimin e vaksinës së AstraZeneca kundër Covid-19, për të gjithë personat nën moshën 60 vjeç. Vendimi u mor nga Ministri i Shëndetësisë, Hugo de Jongeamid, duke iu referuar shqetësimeve në lidhje me mpiksjen e gjakut për disa persona që kanë marrë këtë vaksinë. Ministria e Shëndetësisë në Holandë ka bërë të ditur se ka vepruar bazuar në raportet e reja, ku pesë gra pësuan mpiksje të gjakut pas marrjes së vaksinës së zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit.
Rreth 10 mijë rezervime për marrje të vaksinës anti-COVID-19 të AstraZeneca për personat nën moshën 60-vjeçare, janë anuluar deri në një vendim tjetër. Autoritetet holandeze kanë bërë të ditur se do të rishikojnë vendimin, dhe do të marrin informacione shtesë nga Agjencia Europiane e Barnave. Agjencia holandeze, Lareb, e cila gjurmon efektet anësore të ilaçeve, deklaroi se ka marrë pesë raportime për mpiksje gjaku, duke përfshirë këtu edhe nga një grua që gjeti vdekjen. Nga ana e saj, kompania AstraZeneca deklaroi se po punon me autoritetet holandeze për të adresuar të gjitha shqetësimet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.