Edhe Maqedonia pranë kalimit në tatim progresiv – Rezistencë nga sektori IT
Shumë shpejt edhe në Maqedoni pritet të zbatohet tatimi progresiv për të ardhurat personale, ku ata që marrin pagë më të lartë do të paguajnë më tepër.
Ministri i Financave Dragan Tevdosvski është shprehur më herët se debati për reformën tatimore pritet të hapet gjatë muajit Prill. Drafti i parë i qeverisë propozon një tatim prej 18% për individët që përfitojnë paga mbi 1 mijë euro.
Megjithatë, kjo lëvizje nuk do të kalojë pa kundërshti. Sipërmarrja argumenton se vetëm 2% e popullsisë siguron të ardhura përtej kësaj vlere dhe kjo ngre pyetje mbi benefitet reale në grumbullimin e të ardhurave prej kësaj takse.
Reagime ka patur edhe nga Oda për Teknologji Informatike, e cila kërkon që të mos merren hapa të nxituar në këtë drejtim, për shkak se tatimi progresiv mund të sjellë largime në fushën e IT-së.
Kryeministri Zoran Zaev, ndërkohë, është i bindur për filozofinë pas këtij tatimi. Sipas tij “nuk mundet ai që merr 10 mijë denarë pagë dhe ai që merr 10 mijë euro pagë të paguajnë tatim të njëjtë”. Sipas Zaev, konsultimet publike që do të nisin do të përcaktojnë edhe pragun nga i cili do të nisë tatimi më i lartë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.