Edhe Wiiw shkurton projeksionet – I bashkohet FMN dhe BB, ekonomia shqiptare do të bjerë me 5% këtë vit
Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (Wiiw) është i treti institucion pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që projekton një rënie të ekonomisë shqiptare në masën 5% këtë vit. Fillimisht ishte FMN që bëri një projeksion të tillë. Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka rishikuar kështu ndjeshëm efektin e pandemisë globale në ekonominë shqiptare.
Në fillim të krizës, instituti shkurtoi projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë këtë vit, por në vetëm 1.7%, ndërkohë që tanimë flet për -5%. Por, ndryshe nga FMN dhe Banka Botërore, Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare nuk flet për një boom të ekonomisë vitin e ardhshëm, duke sinjalizuar një rritje modeste, në vetëm 3.8%.
Sipas këtij projeksioni, ekonomia shqiptare nuk do të kthehet dot në nivelet para Covid-19 as vitin e ardhshëm. Banka Botërore dhe FMN ndërkohë flasin për një rritje mbi 8% në 2021-shin. Instituti i Vienës në raportin e fundit flet edhe për një “kapërcim” të normës së papunësisë me mbi 2 pikë përqindje, në 13.6% këtë vit, nga 11.5% të vitit të kaluar. Rritja e çmimeve të konsumit ndërkohë projektohet modeste.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.