Edukimi financiar i studentëve – AMF nënshkruan marrëveshjen me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. AMF zhvilloi sot një leksion të hapur në këtë universitet me studentët e Fakultetit të Ekonomisë me qëllim rritje e edukimit financiar të studentëve për rolin e Autoritetit.
Marrëveshja është firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Koçi dhe rektori i Universitetit, Skënder Topi. Sipas Koçi, edukimi financiar në lidhje me tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së është bërë tashmë një nga prioritetet kryesore të këtij institucioni.
Ai shtoi më tej se AMF-ja do të prezantojë strategjinë 5-vjeçare për zhvillimin e tregjeve në fillim të muajit prill. Ky dokument do të shërbej edhe si një udhërrëfyes për punën e institucionit në drejtim të edukimit financiar, rritjes dhe zhvillimit të tregjeve, si edhe garantimit të mbrojtjes së konsumatorëve e investitorëve.
Ndërkohë, Topi nga ana tjetër shpreh bindjen se kjo marrëveshje do të sjellë edhe një përfitim reciprok midis palëve, duke iu shërbyer studentëve jo vetëm për sigurimin e materialeve të ndryshme burimore, por edhe duke krijuar mundësi intership-i pranë AMF-së.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.