Edukimi financiar – Shqipëria, pozitat më të dobëta në Europë

Shqipëria ka nivelin më të ulët të edukimit financiar në Europë. Një studim i vitit 2014 e ka nxjerrë atë në nivelin 14%. Për këtë arsye, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare po tenton t’i japë prioritet rritjes së edukimit financiar të publikut, duke pasur si fokus kryesor universitetet.
“Sot në Shqipëri janë rreth 100 mijë studentë dhe nivelin e edukimit financiar ne e kemi në nivelin 14%, sipas një studimi që ka bërë “Standard and Poor’s” në vitin 2014. Më të ulëtin në rajon. Kur i bie më të ulëtin në rajon, i bie më të ulëtin në Europë. Dhe që të edukojmë në tregun, gjëja e parë nis nga ju studentët që jo vetëm t’ju japim një edukim financiar, por njëkohësisht ju nesër të bëheni pjesë e rëndësishme e tregjeve financiare. Që të jetë e ditur është një gjë shumë e mirë, jo vetëm ju, familjet tuaja, shokët tuaj, sepse ne kemi patur një goditje në vitin 1997 dhe unë mendoj që arsyeja kryesore e asaj goditjeje të piramidave ka qenë edukimi financiar i publikut, që pothuajse nuk e kuptonte njeri se ç’ishin piramidat apo si funksiononte një kompani”, tha Ervin Koçi, Drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i AMF.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkroi të hënën një marrëveshje bashkëpunimi me Albanian University, me objektiv kryesor rritjen e njohurive të studentëve rreth tregjeve financiare dhe punës së Autoritetit. Që nga viti i kaluar, AMF ka nënshkruar disa marrëveshjeve të ngjashme me institucione të tjera të arsimit të lartë në vend.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.