EEA publikon vendet me ujërat më cilësore dhe të pastra për t’u larë! Ku renditet Shqipëria?

Cilësia e ujërave në Europë është përmirësuar në mënyrë dramatike në dekadat e fundit dhe një raport i ri i publikuar këtë javë nga Agjencia Europiane e Mjedisit (EEA) zbulon se pothuajse 85% e zonave të saj të banjës renditen tani si “të shkëlqyera”. Raporti vjetor i Ujit të Larjes monitoroi rreth 22,000 pika noti të brendshme dhe bregdetare në vendet anëtare të BE-së, Shqipërinë dhe Zvicrën në vitin 2021. Mbretëria e Bashkuar, pasi u largua nga BE, mungonte në raport për herë të parë.
Vendi pa dalje në det i Austrisë, i njohur për liqenet e tij të shumtë të bukur, duke përfshirë ujërat alpine të Achensee në Tirol dhe Weissensee me ngjyrë smeraldi në Carinthia, është në krye të renditjes, me 97.7% të ujërave të deklaruara si ‘të shkëlqyera’. Vetëm pas saj në krye të tabelës janë katër të preferuarat e pushimeve mesdhetare: Malta, Greqia, Kroacia dhe Qiproja. Danimarka dhe Gjermania janë vendet e tjera ku më shumë se 9 nga 10 site morën notën më të lartë.
Portugalia është në vendin e 10-të, me 88.5%, ndërsa Italia (87.9%) dhe Spanja (87.4%) janë përkatësisht në vendin e 12 dhe 13. Pika e nxehtë e turizmit, Franca zbret më poshtë në renditje, me 75.7%, ndërsa Polonia renditet më e ulëta me vetëm 44.5% pak larg Sllovakisë me 50% dhe Hungarisë me 60.2%. Vendi ynë është renditur i 25-ti në listën e publikuar nga EEA me 68.1 %.
Vlerësimi është bërë nga EEA në bashkëpunim me Komisionin Europian. Autoritetet lokale dhe kombëtare morën mostra uji gjatë sezonit të larjes dhe i analizuan ato për llojet e baktereve që tregojnë ndotje nga ujërat e zeza dhe mbarështimi i blegtorisë. Ujërat u vlerësuan më pas “të shkëlqyera”, “të mira”, “të mjaftueshme” ose “të dobëta”, sipas standardeve të Bashkimit Europian. Noti në ujërat e renditura të dobëta mund të rezultojë në sëmundje nëse uji gëlltitet, notarët mund të përjetojnë dhimbje stomaku ose diarre.
Franca kishte gjithsej 99 pika banje që u renditën “të varfra”, që do të thotë se ato duhej të mbylleshin gjatë gjithë sezonit të ardhshëm, me masa të reja të vendosura për të reduktuar ndotjen dhe për të eliminuar rreziqet shëndetësore. Vendet që janë renditur si të varfra për pesë vite radhazi duhet të mbyllen përgjithmonë, kjo ndodhi me 31 pika banje në Itali, 8 në Francë dhe 2 në Holandë.
Ky rregull është pjesë e Direktivës për Ujërat e Banjës, e cila u miratua në 2006 dhe ka rezultuar në rritjen e vazhdueshme të përqindjes së vendeve të shkëlqyera që atëherë. Cilësia e ujërave të BE-së është përgjithësisht e lartë me standardet minimale të cilësisë së ujit që përmbushen në 95.2% të të gjitha vendeve të vlerësuara.
Ujërat më të pastra për t’u larë në Europë, Shqipëri dhe Zvicër
Figura 1: Përqindja e ujërave për t’u larë me cilësi të shkëlqyer në vendet europiane në vitin 2021
Figura 2: Cilësia e ujit për t’u larë në Europë në sezonin 2021 (vendet e BE-së, Shqipëria dhe Zvicra)
Burimi: EEA
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.