Efektet e Brexit pa marrëveshje – Carney: Çmimet e shtëpive do të bien me 35%
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, tha se tregu i pronave në Britani do të pësojë kolaps dhe normat e kredive hipotekore do të pësonin luhatje të mëdha, nëse Brexit del pa marrëveshje me BE. Sipas tij, çmimet e shtëpive do të bien me 35% në 3 vite. Lajmërimet e fundit nga Brukseli kanë shtuar shpresat e arritjes së një marrëveshjeje me Britaninë përpara se të dalë më 29 Mars, megjithatë, të dy palët kanë ende ndasi për detajet e kësaj dakordësie.
Kryeministrja Theresa May, po përballet me rebelë në partinë e saj konservatore, që kanë kërcënuar se nuk do ta votojnë marrëveshjen nëse kjo nuk përfaqëson një ndarje të ashpër me Europën. Duke dhënë një paralajmërim ndaj kabinetit, Guvernatori i tha ministrave përfshirë Theresa May se ndikimi i ndarjes pa marrëveshje, do të jetë katastrofik, i ngjashëm me krizën financiare të vitit 2008. Carney tha se shkëputja e ashpër do të sjellë një rënie të sterlinës që do të nxisë inflacionin dhe normat e interesit.
Sipas tij, Banka e Anglisë nuk do të ketë mundësi që të zbusë krizën duke ulur interesat. Mark Carney, dikur bankier i Goldman Sachs, ka drejtuar Bankën e Anglisë që prej vitit 2013 dhe ka fituar respekt nga investitorët, prej zbutjes së tregjeve pas referendumit të Qershorit 2016. Në provën e rezistencës më herët gjatë vitit, Banka e Anglisë testoi huadhënësit për një skenar ku çmimet e shtëpive bien me 33%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.