Efektet e reformës te punësimet – Raporti i KMSHC: 1072 rekrutime me procedurë konkurrimi gjatë vitit 2018
Një prej efekteve kryesore të reformës në administratës publike është rekrutimi në shërbimin civil përmes procedurave të konkurrimit.
Scan ka zbardhur raportin zyrtar të Komisionerit për Mbikëqyrje Shërbimit Civil për vitin 2018, i cili konstaton konsolidim të procesit të rekrutimit, nga pikëpamja e respektimit të procedurave, në administratën shtetërore, ku vihet re: shtimi i numrit të konkurrentëve për një proces rekrutimi; zbatohet parimi i rekrutimit në grup; zbatohet parimi i transparencës së procesit në kushtet kur publikohen shpalljet në portalin e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe në portalin e Departamentit të Administratës Publike.
Sipas raportit zyrtar të Komisionerit, me qëllim plotësimin e 1072 pozicioneve të punës të nivelit ekzekutiv, të mesëm dhe të ulët drejtues, rezulton që përgjatë vitit 2018 të jenë zhvilluar 540 procedura konkurrimi.
665 pozicione i përkasin kategorisë ekzekutive, 305 pozicione në kategorinë e ulët drejtuese, 83 pozicione në kategorinë e ulët drejtuese dhe 20 pozicione në trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues.
Gjithsesi, problemet ekzistojnë. KMSHC bën me dije se ka mbikëqyrur 1592 pozicione pune gjatë vitit të shkuar, nga të cilat janë konstatuar 960 raste të emërimeve në detyrë në përputhje me kërkesat e ligjit; ndërkohë që janë evidentuar 357 raste, të emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil, të institucioneve të mbikëqyrura.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.