Efekti i heqjes së vizave – MZHETTS: Mbërrijnë 150 turistë nga Bjellorusia

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes deklaroi se heqja e vizave me disa vende gjatë sezonit turistik ka dhënë efektet e saj pozitive.
Këtë të hënë mbërriti në Tiranë charteri i parë me 150 turistë nga Bjellorusia, vizita këto nga vende jo tipike për Shqipërinë.
Kompania e cila është angazhuar në këtë sipërmarrje për të kryer edhe fluturimet me charter gjatë sezonit veror në datë 9 qershor mundësoi pak ditë më parë edhe vizitën nga turistë Ukrainas.
“Kompania Aler Travel do të vijojë të sjellë çdo javë turistë nga Bjellorusia dhe Ukraina deri në fund të muajit shtator. Vetëm nga Ukraina pritet të vijnë këtë vit rreth 8000 turistë. Ndërkohë që sfida e Shqipërisë është ofrimi i shërbimeve sa më cilësore”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Kjo e fundit vë theksin tek ulja e TVSH nga 20 në 6 për qind për strukturat akomoduese që pritet të ketë efekt pozitiv.
Gjithsesi sfidë për turizmin shqiptar mbetet shërbimi cilësor, zgjatja e ditëve të qëndrimit për turist që normalisht përkthehet edhe në më shumë para të shpenzuara brenda vendit.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.