“Efekti KESH” – Financimi i BERZH tkurr kredinë për ekonominë
Kredia për ekonominë pësoi një tjetër rënie të fortë gjatë qershorit dhe zbriti në vlerën e 530 miliardë lekëve, me një rënie prej nëntë miliardë lekësh brenda një muaji. Krahasuar me një vit më parë, portofoli i kredisë është tkurrur me 2.5%, duke shënuar rezultatin më të dobët për vitin 2018.
Megjithatë, ndryshe nga muajt e mëparshëm, arsyeja e rënies së kredisë lidhet me një zhvillim specifik në kreditimin e ndërmarrjeve publike. Kredia për këtë segment ka rënë me 12.5 miliardë lekë gjatë qershorit. Kjo i detyrohet rifinancimit të një pjese të portofolit të kredive ekzistuese përmes një kredie të marrë jashtë vendit, nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ulja e portofolit të kredisë për shkak të këtij operacioni ishte e pritshme që vitin e kaluar, por vonesat në disbursimin e kredisë së BERZH bënë që shlyerjet e kredive nga bankat tregtare shqiptare të ndodhnin vetëm në qershor.
Për sa i takon sektorit privat, kredia gjatë muajit qershor regjistroi një rritje të lehtë, si në segmentin e biznesit, ashtu edhe në atë të individëve.
Kredia për biznesin u rrit me rreth 1.8 miliardë lekë në një muaj, megjithatë ngelet ende rënie vjetore. Krahasuar me një vit më parë, kredia paraqitet në rënie me 3.7%. Kërkesa e shëndetshme nga sektori privat për kredi është ende e zbehtë dhe ky duket të jetë faktori më thelbësor që po frenon rritjen e kreditimit. Sidoqoftë, edhe bankat ngelen shumë të kujdesshme në ekspozimet e mëdha, çka e mban ofertën trë shtrënguar, sidomos në segmentin e korporatave.
Kredia për individët vazhdon të shfaqë një ecuri më pozitive, me rritje të ngadaltë, por të qëndrueshme. Gjatë qershorit portofoli i individëve u rrit me rreth 1.2 miliardë lekë. Vlera totale e kredisë për individë arriti në 180 miliardë lekë, në rritje vjetore me afro 5%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.