Egjipt/ ‘Zbulimi më i rëndësishëm ndër vite’ – Gjenden 20 arkivole antike afër Luxor (FOTOT)

Sipas një njoftimi të publikuar nga Ministria Egjiptiane e Antikiteteve arkeologët kanë zbuluar 20 arkivole druri, dekoret me ngjyra të ndezura të të cilave janë ende të dukshme, pikërisht në nekropolin e Theban të Asasif, në bregun perëndimor të lumit Nil. Ministria e përshkroi zbulimin si “një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet” ndër vite. Më shumë detaje do të publikohen në një konferencë shtypi ditën e Shtunë.
Shumica e varreve në Asasif, që është afër Luginës së Mbretërve, janë nga Periudha e Vonë (664-332 para Krishtit) e Egjiptit të lashtë. Sipas njoftimit, ekzistojnë edhe varre nga Dinastia e hershme e 18-të (1550-1292 para Krishtit), e cila ishte e para e Mbretërisë së Re dhe përfshinte faraonët e famshëm Ahmose, Hatshepsut, Thutmose III, Amenhotep III, Akhenaton dhe Tutankhamun.
Javën e kaluar, Ministria e Antikiteteve njoftoi se arkeologët kishin zbuluar një “zonë industriale” të lashtë në Luginën Perëndimore të Luxor. Zona përfshinte shtëpi për ruajtje dhe pastrim të mobilieve funerale, si dhe qeramika të shumta që datonin nga koha e Dinastinë së 18-të. (bbc)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.