Ekonomi me “të vegjël” – Pesha e biznesit të madh, më e ulët se në BE

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë kolonën kryesore për shumicën e ekonomive, por në Shqipëri pesha dhe rëndësia e tyre është edhe më e lartë krahasuar me ekonomitë e zhvilluara.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për vitin 2016, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kontribuonin me 81% të punësimit të përgjithshëm në ekonomi. Në vendet e Bashkimit Europian pesha e këtyre ndërmarrjeve në punësim është më e vogël, me 66.6% të totalit.
Një diferencë e ndjeshme ekziston edhe në strukturën e prodhimit. Nëse në Bashkimin Europian SME-të kontribuojnë me rreth 57% të prodhimit të përgjithshëm, në Shqipëri ato sjellin afro 67% të vlerës së shtuar. Këto diferenca vënë në dukje një peshë relative më të ulët të biznesit të madh në ekonomi.
Sipas kriterit të numrit të të punësuarve, Shqipëria ka vetëm 152 biznese të mëdha, me më shumë se 250 punonjës. Bizneset mikro, të vogla dhe të mesme ndërkohë janë mbi 108 mijë, ose 99.9% e totalit.
Pesha më e ulët e biznesit të madh në ekonomi mund të jetë nga treguesit e konkurrueshmërisë dhe eficiencës relativisht të dobët të ekonomisë shqiptare. Biznesi i madh është më konkurrues, sepse për shkak të përmasave mund të përfitojë nga ekonomitë e shkallës, çka ul kostot e prodhimit.
Përmasat më të mëdha iu japin këtyre bizneseve më shumë mundësi për të investuar në teknologji, zhvillim dhe zgjerim. Kostot më të ulëta dhe investimet më të mëdha në automatizimin e proceseve të prodhimit rrisin produktivitetin e punës, që mat xhiron mesatare për çdo të punësuar. Sipas Instat, për ndërmarrjet e mëdha produktiviteti i punës është 1.8 milionë lekë në vit, ndërsa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme më pak se gjysma, me rreth 864 mijë lekë në vit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.