Ekonomi për Reuters: “Turizmi në rritje në Shqipëri, por reforma në drejtësi vonon bisedimet me BE”

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit Milva Ekonomi ka dhënë ditën e enjte në mbrëmje një intervistë për Reuters. Gjatë kësaj interviste ajo foli për reformën në drejtësi, rekomandimet e FMN dhe zhvillimin e turizmit. Më poshtë është artikulli i plotë i Reuters.
Shqipëria pret një tjetër vërshim turistësh sivjet dhe ekonomia është duke bërë progres, por Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi thotë se është reforma në drejtësi që mban pezull bisedimet me BE për anëtarësimin.
“Nëse duam të kemi një të ardhme në Bashkimin Europian, jemi shumë të vetëdijshëm që ka prioritete kyçe dhe një nga këto është reforma në drejtësi”, tha Ekonomi për Reuters në një intervistë të vonë ditën e Enjte, duke shtuar se qytetarët dhe bizneset e shohin gjithashtu si një detyrim.
Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike 3.8 për qind këtë vit sipas parashikimeve nga FMN, por vendi po përballet me një ngërç politik në lidhje me këtë reformë, para zgjedhjeve parlamentare në qershor.
Disa mijëra anëtarë të Partisë Demokratike janë vendosur në një shesh 800 metra katror në një tendë para kryeministrisë. Politikanët e PD kërkojë një qeveri teknike për të mbikëqyrur zgjedhjet, por Rama thotë se është vetëm një marifet për të vonuar reformën në sistemin gjyqësor.
Ka patur shpresa se negociatat me BE do të fillonin këtë vit, por tani data nuk është e sigurt. “Ky tashmë është një proces, jo më një datë e fiksuar”, tha Ekonomi.
“Duhet të verifikojmë se disa hapa janë bërë mirë dhe në mënyrën e duhur. Nëse bëjmë mirë detyrat tona me reformën në drejtësi atëherë jemi atje ku duhet. Shpresoj të kryhet sa më parë”, tha ajo.
Mbi ekonominë në përgjithësi, Ekonomi ra dakord me FMN se rritja ekonomike duhet të zgjerohet këtë vit, por duhet bërë më tepër. Fondi ka nxitur Shqipërinë të rrisë të ardhurat nga nafta dhe taksat e pronësisë.
Turimi, gjithsesi, është në rritje.
Fluturime të reja javore dhe dy herë në javë janë duke mbërritur nga vende si Polonia, Çekia dhe Ukraina. Shqipëria këtë vit do të organizojë edhe kampionatin botëror të paragliding, çka duhet të rrisë turizmin me 15 për qind.
Gjithashtu vitin tjetër pritet të finalizohen edhe planet për një aeroport të ri në veri në vendit si dhe në jugun e populluar nga turistët.
Por shqetësime vijnë edhe nga fqinji i Shqipërisë, Greqia. Greqia ka zbritur në vendin e katërt për marrëdhënie tregtare ndërsa 180 mijë shqiptarë janë rikthyer në atdhe.
Gjithsesi mbetet një faktor ekonomik madhor në Shqipëri.
“Nëse ata rriten, edhe ne rritemi…Nëse ata bien poshtë, edhe ne biem poshtë”, u shpreh Ekonomi, megjithëse marrëveshjet për të rritur tregtinë me vendet e tjera ballkanike nënkupton se problemet e Greqisë nuk kanë më një impakt kaq të dhimbshëm, shtoi ajo.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.