Ekonomia britanike në vrull – Rritet me 1.8% për 2017-ën, paundi i afrohet nivelit të para Brexit
Ekonomia britanike ka marrë vrull në tremujorin e fundit të 2017-ës, duke thyer pritshmëritë dhe treguar se Brexit po vazhdon të pengojë ekonominë, por jo aq rëndë sa ç’prisnin investitorët.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.5% në tremujorin e katërt, që është norma më e shpejtë në 1 vit.
Rezultati ishte gjithashtu sipër projeksioneve të analistëve, për një rritje me 0.4%. Megjithatë, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, perspektiva qëndron për një rritje të ngadaltë në ekonominë e 6 më të madhe në botë.
Për vitin e plotë, rritja u regjistrua në 1.8%, krahasuar me normën prej 1.9% në 2016-ën. Kjo performancë ishte shumë më optimiste se cc’pritej në periudhën kur ndodhi referendumi.
Paundi britanik vazhdoi fuqizimin kundër dollarit amerikan dhe kundër valutës së përbashkët gjithashtu. Kundër dollarit, paundi preku 1.43 këtë javë, që është pranë nivelit të para-referendumit në Qershor 2016.
Sipas analistëve, të dhënat japin një tjetër impuls pozitiv për ekonominë, por vendosin gjithashtu presionet te Banka e Anglisë për të rritur normën bazë të interesit më vonë gjatë vitit.
Banka e Anglisë deklaroi gjatë muajit Dhjetor se ekonomia mund të jetë ngadalësuar në fund të vitit dhe pritet të zhvillojë takimin e radhës mbi politikat monetare në fillim të muajit Shkurt.
Komisioni i Politikave Monetare vendosi të rrisë normën e interesit në Nëntor, duke bërë lëvizjen e parë në një dekadë drejt tkurrjes monetare. Guvernatori i bankës, Mark Carney, tha më herët gjatë javës se ekonomia mund të rinisë rritjen e shpejtë, ndërsa qartësohet marrëdhënia e ardhshme me Bashkimin Europian.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.