Ekonomia britanike, përsëri në tkurrje / Ndikon karantina e Nëntorit. Shpërndarja e vaksinave ofron shpresë
Ekonomia britanike është tkurrur në Nëntor për të parën herë që prej karantinës së parë të Covid-19 në Pranverë, duke pësuar goditje nga masat e distancimit social. Rënia me 2.6% ishte më e vogël se projeksionet e analistëve, por disa ekspertë presin ende një recesion të dyfishtë për vitin 2020.
Ekonomia britanike, që u tkurr me një normë më të madhe se ç’do vend i zhvilluar në gjysmën e parë të vitit 2020, është tashmë 8.5% më e vogël se ç’ka qenë në nisje të pandemisë në Shkurt. “Situata do përkeqësohet dhe të dhënat theksojnë përmasën e sfidës që po përballemi”- tha ministri i Financave, Rishi Sunak.
Megjithatë, sipas tij, prezantimi i vaksinave, që ka qenë shumë më i shpejtë se në vendet e Europës, ofron një arsye për shpresë. Disa ekspertë kanë paralajmëruar se Britania ndodhet ende përpara një recesioni tjetër, me ekonominë që pritet të tkurret në tremujorin e fundit 2020 dhe të parin 2021.
Përmasa e goditjes ekonomike në Nëntor është shumë më e vogël se në karantinën e parë gjatë Pranverës, diçka që zyra e Statistikave e shpjegoi me përshtatjen e bizneseve ndaj masave të distancimit social. Megjithatë, karantina e tretë akoma më e ashpër dhe marrëdhënia e re me Bashkimin Evropian përbëjnë një sfidë tjetër për bizneset.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.