Ekonomia britanike po ngadalësohet, prodhimi dhe konsumi në rënie

Gjatë javëve të fundit janë përforcuar së tepërmi sinjalet që tregojnë se, ekonomia britanike po ngadalësohet përpara divorcit final me Bashkimin Europian.
Të dhënat e fundit janë ato të së Premtes, që tregojnë një rënie surprizë të prodhimit industrial dhe të sektorit të ndërtimit gjatë muajit shkurt. Këtyre të dhënave i`u bashkohet edhe performanca aspak pozitive dhe nën pritshmëritë e tregtisë së jashtme.
Të dhënat shkaktuan një rënie të paundit britanik pranë minimumit të javës së fundit. Prodhimi industrial ra kështu me 0.7% gjatë Shkurtit, ndërkohë që projeksionet flisnin për një rritje me 0.2%.
Gjatë Janarit ndërkohë prodhimi regjistrohet po ashtu në rënie, me 0.3%. Deficiti tregtar nga ana tjetër rezulton më i madh se projeksionet. Duke i shtuar edhe performancën jo të mirë të sektorit të ndërtimit, të gjitha këto të dhëna sinjalizojnë se, ekonomia e Mbretërisë po futet në një cikël të vështirë.
Gjasat janë që gjërat të komplikohen edhe më shumë me daljen e vendit nga unioni. Zyra e statistikave në Mbretëri vlerëson paraprakisht një rritje të ekonomisë së vendit me 0.5% gjatë tremujorit të parë, nga 0.7% që ishte në tremujorin e fundit të 2016-ës.
Shenja të tjera flasin për një normë inflacioni në rritje, si pasojë e paundit, si dhe një rënie të konsumit, që është edhe lokomotiva e ekonomisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.