“Ekonomia do ti rikthehet rritjes në 2021”, Sejko: Politikat lehtësuese e amortizuan goditjen nga Covid-19
Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia do ti rikthehet rritjes vitin e ardhshëm, pas goditjes që mori nga pandemia e Covid-19. Në konferencën periodike për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Sejko deklaroi se të dhënat e tërthorta sugjerojnë se rënia ekonomike ka vijuar edhe në tremujorin e tretë, por me ritme më të ngadalta.
“Megjithatë, ecuria më e mirë e të ardhurave tatimore dhe eksporteve, si dhe përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, sugjerojnë se rënia ekonomike ka vijuar, por me ritme më të ngadalta se në tremujorin e dytë. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim. Në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijë në përmirësim, por të mbetet ende në territor negativ, gjatë gjysmës së dytë të vitit aktual dhe t’i kthehet rritjes në vitin e ardhshëm”.
Ndërkohë, sipas Guvernatorit Sejko, politikat e deritanishme lehtësuese fiskale, monetare dhe financiare, kanë pasur një rol të rëndësishëm në përballimin e goditjes së pandemisë.
“Stimuli fiskal ka zbutur ndikimin e goditjes në financat e biznesit dhe të familjeve; stimuli monetar ka ulur kostot e financimit në ekonomi, ka garantuar furnizimin e sektorit bankar me likuiditetin e kërkuar, si dhe ka krijuar premisat e nevojshme për rritjen e kreditimit; ndërsa, lehtësimi i përkohshëm i kuadrit rregullator të sektorit bankar, ka ndihmuar shtyrjen në kohë të pagesave të kësteve të kredisë dhe ka inkurajuar ristrukturimin e kredive, në përputhje me vullnetin dhe interesin e përbashkët të bankave dhe kredi-marrësve”.
Në përfundim të mbledhjes, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%, normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.