Ekonomia me dy standarde – Basha: Zero taksë për hotelet me 5 yje, 20% TVSH për biznesin e vogël
Kryetari i Partisë Demokratike ftoi shqiptarët të bëhen pjesë e protestës më 27 janar për t’i dhënë fund qeverisjes me dy standarde, që favorizon klientët dhe bandat që e mbajnë në pushtet dhe ngarkon me taksa qytetarët. Lulzim Basha tha në aktivin e Korçës se pasoja kryesore e blerjes së zgjedhjeve dhe bashkëqeverisjes së Ramës me krimin, është varfërimi i shqiptarëve dhe pasiguria për të ardhmen.
“Zero taksa për hotelet e reja me pesë yje që do të ndërtohen si lavatriçe të parave të pista. Këta nuk do të paguajnë taksa për 10 vjet, ndërsa një hotel me pesë dhoma në Korçë, do të fillojë të paguajë 20% TVSH. 20% më shtrenjtë, nga buka, tek veza, tek vaji, gjithçka që blihet në dyqane. Gjithçka që blihet në dyqane, që deri më sot nuk e paguanin këtë TVSH, këtë marrëzi të fundit, tani duhet të paguajnë edhe 20 përqindëshin”, tha Basha.
Në Korçë Lulzim Basha u shpreh se protesta e 27 janarit ka për qëllim të ndalojë eksodin e shqiptarëve, mes të cilëve 100 mijë janë të rinj, të cilët nuk shohin asnjë mundësi në vend.
“Shpresa e Edi Ramës është mashtrimi juaj. Shpresa e Edi Ramës është largimi juaj nga Shqipëria. Shpresa e shqiptarëve është largimi i Edi Ramës, një orë e më parë! Është bashkimi dhe protesta deri në fitoren e kësaj kauze të drejtë qytetare”, u shpreh në Korçë Kryetari i Partisë Demokratike.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.