Ekonomia e SHBA krijon 194 mijë vende pune – Norma totale e papunësisë bie në 4.8%. Pagat rriten me 4.6%

Ekonomia amerikane krijoi më pak vende pune se parashikimet e analistëve, gjatë shtatorit, një shenjë pesimiste për gjendjen e ekonomisë më të madhe në botë. Sipas të dhënave të Departamentit të Punës, punësimi me përjashtim të sektorit bujqësor u rrit me 194 mijë njësi, ndërsa analistët parashikonin 500 mijë vende të reja pune. Gjithsesi, norma totale e papunësisë ra në 4.8%, kundrejt parashikimeve për një nivel prej 5.1%.
Rënia e normës totale të papunësisë vjen ndërkohë që pjesëmarrja në forcën e punës ra lehtë, që do të thotë se njerëzit që u ndikuan nga pandemia e koronavirusit janë rikthyer në fuqinë punëtore. Reagimi i tregjeve ka qenë i vakët ndaj këtyre të dhënave, pasi pavarësisht të dhënave të dobëta të punësimit, pagat u rritën ndjeshëm.
Me bazë mujore pagat u rritën me 0.6%, ndërsa me bazë vjetore u rritën me 4.6%, pasi kompanitë kanë ofruar rritje pagash për të luftuar mungesën e vazhdueshme të fuqisë punëtore. Njëkohësisht edhe niveli i punësimit në popullsi u rrit në 58.7%, më i larti që nga marsi i vitit 2020, kohë kur filloi edhe pandemia e koronavirusit.
Raporti vjen në një kohë kritike për ekonominë, pasi të dhënat e kohëve të fundit kanë treguar shpenzime solide konsumatore, pavarësisht rritjes së çmimeve, rritje të sektorit të prodhimit dhe shërbimeve dhe rritje të kostove të strehimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.