Ekonomia e SHBA – Rishikohet në 3.3% për T3, norma më e lartë në 3 vite

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara u rrit sipër vlerësimeve fillestare për tremujorin e tretë, duke treguar normën më të lartë të rritjes në 3 vite, mbështetur nga shpenzimet e mëdha të bizneseve në pajisje dhe akumulimin e inventarëve.
Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 3.3% me bazë vjetore, raporton Departamenti i Tregtisë, nga 3% që ishte vlerësimi fillestar. Kjo shënon herën e parë që prej vitit 2014, që ekonomia rritet me 3% për më shumë se 2 tremujorë radhazi.
Megjithatë, ritmi i rritjes ka gjasa të ekzagjerojë gjendjen e ekonomisë, pasi inventarët, që janë mallra që pritet të shiten, përbënin për thuajse 1/4-ën e rritjes. Përjashtuar investimet në inventarë, ekonomia u rrit me një normë prej 2.5%.
Matur me metodën e të ardhurave, prodhimi u rrit me të njëjtën normë prej 2.5%. Ritmi i fortë i rritjes ekonomike rrit shanset që Rezerva Federale të vazhdojë ciklin tkurrës monetar muajin që vjen, pasi ka rritur 2 herë normat e interesit këtë vit. Janet Yellen tha këtë javë se “rritja ekonomike po bëhet më e gjerë dhe e përhapur në të gjitha sektorët.
Pas publikimit të të dhënave, çmimet e titujve të Thesarit ranë ndërsa dollari pati luhatje fare të vogla kundër valutave kryesore. Rimëkëmbja ekonomike po arrin vitin e 8 dhe nuk ka treguar shenja të ngadalësimit. Ekonomistët presin një nxitje modeste të ekonomisë nga Donald Trump dhe republikanët e tij, që po përpiqen të kalojnë reformën tatimore, që do të ulë taksën korporative në 20% nga 35%.
Megjithatë, stimujt fiskal po vijnë në një kohë që ekonomia ndodhet në punësim të plotë. Sipas ekonomistëve, uljet e taksave ndaj korporatave dhe individëve do të kenë ndikim minimal ndaj rritjes ekonomike në terma afat-gjatë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.