Ekonomia e SHBA tkurret në 3-mujorin e parë – U prek nga sfidat e zinxhirit të furnizimit, mungesat e punëtorëve dhe inflacioni i lartë
Ekonomia e SHBA u tkurr papritur në tremujorin e parë mes një rigjallërimi të rasteve të COVID-19 dhe rënies së financimit për ndihmën pandemike nga qeveria, por rënia e prodhimit nuk është reale, pasi kërkesa e brendshme mbeti e fortë.
Rënia e parë e produktit të brendshëm bruto që nga recesioni i shkurtër dhe i mprehtë i pandemisë gati dy vjet më parë, i raportuar nga Departamenti i Tregtisë, u nxit kryesisht nga një deficit tregtar më i gjerë, ndërsa importet u rritën.
Kërkesa e brendshme u rrit krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar, duke zbutur frikën për stagflacion, ose recesion. Rezerva Federale pritet të rrisë normat e interesit me 50 pikë bazë të mërkurën e ardhshme, pasi e rriti me 25 pikë bazë në mars.
Sipas analistëve, ekonomia po tregon ende njëfarë elasticiteti, por raporti i PBB-së për tremujorin e parë sinjalizon fillimin e rritjes më të moderuar këtë vit dhe vitin e ardhshëm, kryesisht në përgjigje të normave më të larta të interesit.
Produkti i Brendshëm Bruto ra me një normë vjetore prej 1.4% tremujorin e kaluar, tha qeveria në vlerësimin e saj paraprak. Ekonomia u rrit me një ritëm të fortë prej 6.9% në tremujorin e katërt 2021.
Ekonomia u prek gjithashtu nga sfidat e zinxhirit të furnizimit, mungesat e punëtorëve dhe inflacioni i lartë. Rënia e tremujorit të fundit nuk është reale, pasi PBB-ja mbetet 2.8% mbi nivelin e saj në tremujorin e katërt të 2019-ës dhe ekonomia u rrit 3.6% me bazë vjetore. Më tej, 1.7 milionë vende pune u krijuan në tremujorin e parë dhe prodhimi u rrit me 5%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.