Ekonomia e Shteteve të Bashkuara – Ngadalësohet në tremujorin e katërt, norma për 2017-ën në 2.3%
Ekonomia e Shteteve të Bashkuara është ngadalësuar në tremujorin e katërt, ndërkohë që rritja e shpejtë e shpenzimeve konsumatore rezultoi në një rritje të importeve. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 2.6%, raporton Departamenti i Tregtisë, krahasuar me rritjen prej 3.2% në tremujorin e tretë.
Importet u rritën me normën më të shpejtë në më shumë se 7 vite. Rritja e importeve paraqet sfidat që përballet administrata e Trump, për të arritur objektivin e rritjes vjetore ekonomike në 3%.
Treguesi mbi kërkesën brenda vendit u rrit në një normë prej 4.6%, që është më e larta që prej tremujorit të tretë 2014. Shitjet përfundimtare ndaj blerësve vendas privatë, u rritën me 2.2% gjatë tremujorit të tretë.
Kërkesa e fortë brenda vendit bën pjesë në rimëkëmbjen e sinkronizuar globale, që përfshin Eurozonën dhe Azinë. Kërkesa është nxitur gjithashtu nga premtimi i Donald Trump për uljet tatimore.
Për të gjithë 2017-ën, ekonomia u rrit me 2.3%, nga 1.5% që ishte në 2016-ën. Ekonomistët presin që rritja e Produktit të Brendshëm Bruto të arrijë normën objektiv prej 3% këtë vit, nxitur kryesisht nga rënia e dollarit, rritja e çmimeve të naftës dhe fuqizimi i ekonomisë globale.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.