Ekonomia gjermane në 2017 – Rritja më e madhe në 6 vite, pritet të ruajë vrullin edhe këtë vit

Ekonomia gjermane është rritur me normën më të shpejtë në 6 vite për 2017-ën, me financat publike që regjistruan një suficit rekord, duke nxitur pritshmëritë për vazhdimin e vrullit përgjatë 2018-ës.
Rritja arriti 2.2% vitin e kaluar, raporton zyra Federale e Statistikave. Kjo dështoi të arrijë projeksionet e analistëve për 2.4% rritje, megjithatë ishte norma më e lartë që prej 2011-ës.
Shpenzimet konsumatore nxitur nga kostot e ulëta të huamarrjes, si dhe punësimi në nivel rekord, kanë përshpejtuar rritjen ekonomike. Eksportet, motori tradicional i rritjes së ekonomisë më të madhe të Europës, ka kontribuar gjithashtu, ndërkohë që kërkesa për mallrat “Made in Germany” është rritur në të gjithë botën.
Sipas ekonomistëve, ajo që ka rëndësi tani është sigurimi që ky vrull të vazhdojë në të ardhmen, duke shtuar investimetdhe përshpejtuar formimin e qeverisë. Konservatorët e kancelares Angela Merkel po shpresojnë që të formojnë një koalicion me Social Demokratët, pavarësisht se ajo ka thënë së fundmi se ka ende vështirësi përpara.
Një pjesë e debatit është fokusuar te taksat. Aleanca e Merkel favorizon uljen e taksave për ti ruajtur vrullin e ekonomisë, ndërsa disa konservatorë kanë rekomanduar rritjen e tyre për të trajtuar riskun e një flluske.
Social demokratët kanë sugjeruar rritjen e taksave për ato që kanë të ardhura të mëdha, në mënyrë që të financohen shpenzime më të mëdha në mirëqenie.
Sektori publik, që përfshin qeverinë federale, shtetet rajonalë, bashkitë dhe fondet sociale, ka publikuar një suficit rekord buxhetor prej 38.4 miliardë euro në 2017-ën, krahasuar me 25.7 miliardë një vit më parë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.