Ekonomia informale në Shqipëri
Nga Agim Binaj
Ekonomia informale shfaqet një ndër treguesit më shqetësues dhe që vazhdon të jetë ende i tillë, madje një “përbërës dinamik në ekspansion dhe një veçori negative strukturore e ekonomisë shqiptare”. Në një studim të kohëve të fundit të Organizatës Europiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (OECD), rreth reduktimit të ekonomisë informale në vendin tonë, evidentohet se në sektorin privat aktiviteti informal është 1.4 herë më i lartë se ai formal, ose 40-45 për qind më shumë, duke mos llogaritur këtu aktivitetet kriminale, si kontrabandën, trafikimin e prostitucionin dhe aktivitetet e pataksueshme, si ai bujqësor e deri diku ai familjar, apo dhe objektet e dhëna me qira. Ekonomia informale përfaqëson një dukuri të rëndësishme për katër realitete problematike që e shoqërojnë atë.
Së pari, ekonomia informale mbetet shqetësim për efektet negative që shfaq mbi dy aspekte të rëndësishme të ekonomisë: mbi treguesit fiskalë dhe konkurrencën. Në Shqipëri, ajo që vëzhgohet është një nivel i lartë i evazionit fiskal dhe tendencë për rritje të këtij niveli. Po ashtu, ekonomia shqiptare dallohet edhe për deformim të konkurrencës në treg.
Së dyti, ekonomia informale mbetet shqetësim edhe për lidhjet e ndërsjella mes ekonomisë formale dhe informale. Kjo gjen konkretizim në sigurimin e produkteve dhe të shërbimeve të bizneseve të sektorit formal nga sektori informal i ekonomisë. Më e përhapur kjo është në degët e prodhimit dhe të ndërtimit, të favorizuara kryesisht nga niveli më i ulët i çmimeve të aplikueshme në transaksion. Ai gjen pasqyrimin e tij më të qartë edhe në praninë e gjerë të kryerjes së transaksioneve me para në dorë, sidomos një pjesë e pagave të punonjësve të atyre njësive të biznesit që punojnë me dy bilance.
Së treti, ekonomia informale mbetet shqetësim për vështirësinë që paraqet matja dhe përcaktimi i saj. Vështirësinë e përcaktimit të saktë të treguesit të ekonomisë informale ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) e vë në dukje edhe OECD. Mundësitë aktuale të zbulimit të kësaj ekonomie janë të papërfillshme, dhe ne jemi në gjendje të zbulojmë 40 për qind apo 1/3 e evazionit fiskal. Në Shqipëri, shkalla e ekonomisë informale varion nga 30 për qind e vlerësuar nga institucionet zyrtare vendore (INSTAT), rreth 50 për qind e publikuar në botimet ndërkombëtare (Financial Times, Dhjetor 2016, Ëorld Report), deri në 60-65 për qind e vlerësuar nga disa prej organizatave joqeveritare. Këta tregues janë të lartë krahasuar edhe me vendet e rajonit tonë.
Së katërti, ekonomia informale mbetet shqetësim për lidhjet e saj me aktivitetet kriminale dhe të kundërligjshme. Në Shqipëri, në mjaft raste, ekonomia informale shfaqet e kombinuar dhe e lidhur me ekonominë ilegale, me krimin e organizuar, korrupsionin, dhe kontrabandën.
Format e shprehjes së ekonomisë informale
Prezenca e ekonomisë informale në ekonomi mund të shihet kryesisht në dy forma: masën e qarkullimit dhe përdorimit të parasë “cash”, dhe evazionin fiskal. Prirja e veprimtarisë ekonomike informale është të bazuarit në përdorimin e parave të prekshme. Kjo praktikë bën që ekonomia të shfaqet si ekonomi “cash”-i. Treguesi i Parasë Jashtë Bankave (PJB) në vendin tonë vazhdon të jetë i lartë, krahasuar jo vetëm me vendet e zhvilluara, por edhe me ato në tranzicion. Kështu, raporti i PJB ndaj ofertës monetare (agregati M3) gjatë viteve të fundit ka qenë afro 30 për qind kundrejt rreth 20 për qind që e kanë këtë tregues vendet e rajonit, apo rreth 7 për qind ato të zhvilluara. Mendohet që qarkullimi i parave të pista jashtë bankave shqiptare arrin deri në një miliard euro. Praktikimi i evazionit fiskal duket në përdorimin e dy bilanceve dhe raportimin fiktiv të të ardhurave dhe humbjeve. Ekonomia informale, dhe evazioni fiskal si shprehje direkte e saj, mund të jetë rezultat i një numri faktorësh. Këta faktorë mund të grupohen në katër grupe kryesore: të natyrës ligjore, të natyrës socio-kulturore, dhe të natyrës politikëbërëse dhe administrative.
Në grupin e faktorëve ligjorë, dy nga burimet e ekonomisë informale dhe evazionit fiskal mund të konsiderohen legjislacioni i adaptuar dhe zbatimi i ligjit. Në rastin e Shqipërisë, ligjet që kanë të bëjnë me ekonominë informale janë legjislacion i adaptuar nga shtete të ndryshme. Problemi me këto ligje është se në shumicën e rasteve, ata nuk marrin parasysh stadin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, nivelin kulturor të njerëzve tanë. Po ashtu, këto ligjet nuk bazohen në studimin e mirë të kushteve konkrete të vendit tonë, njohjen siç duhet të mentalitetit dhe mjedisit ku do të zbatohet ky legjislacion.
Probleme shfaq po ashtu edhe cilësia e agjencive të ngarkuara me detyrën e zbatimit të ligjit. Shpesh, të punësuarit në administratën tatimore, në dogana apo në hallka të tjera, nuk kanë përgatitjen e duhur. Në raste të tjera, mungesës së aftësive profesionale i shtohet edhe përgjegjshmëria morale, etike, apo ligjore, në kundërshtim me atë që duhet të karakterizojë nëpunësin e shtetit.
Në grupin e faktorëve socio-kulturorë, dy nga burimet e evazionit fiskal kanë të bëjnë me raportet individ-shtet, dhe koncepti për marrëdhëniet publike-private. Fatkeqësisht, brënda shoqërisë shqiptare, por sidomos në shoqërinë e biznesit dhe kompanive ekonomike e tregtare, ekziston një masë e konsiderueshme individësh që në mentalitetin e tyre nuk e shohin shtetin si të tyre si partner e si mbrojtës të veprimtarisë së tyre jetësore e ekonomike, por si një institucion zhvatës, si një kundërshtar të interesave, të aktivitetit, dhe së mirës të tyre. Shqipëria radhitet ndër vendet me nivel të ulët të matur të qeverisjes në fushën e tatim-taksave. OECD vë në dukje se në sektorin privat nuk taksohen afërsisht një miliard euro. Pjesa që paguan detyrimet ndaj buxhetit (taksat) është afërsisht 46 për qind. Në Shqipëri, vëzhgohet një përsosje e formave të evazionit fiskal. Ai nuk është më një evazion i rrugës, por i kamufluar, i bazuar mbi strategji e taktika të stërholluara dhe të menduara me kujdes, dhe që mban parasysh edhe strategjitë e luftës antievazion të administratës tatimore. Këshilltarë të kualifikuar arrijnë të gjejnë forma të stërholluara e të sofistikuara brenda boshllëqeve të legjislacionit fiskal, për të mos i paguar shtetit atë që i takon t’i paguhet. Shfrytëzimi i hapësirave ligjore për të mos paguar detyrimet tatimore, ka stimuluar praktikat e “evazionit të ligjshëm.” Këto praktika janë bërë një veprim mëse normal, i preferuar, i stimuluar dhe mjaft fitimprurës. OECD vë në dukje se në Shqipëri «sipërmarrjet janë bërë më të afta për të shfrytëzuar mungesën e konkurrencës, që sistematikisht të raportojnë nën vlerë fitimet e tyre».
Në grupin e faktorëve të natyrës politikëbërëse dhe administrative, një faktor i rëndësishëm mbetet roli dhe praktikat e Qeverisë dhe Drejtorisë së Tatimeve. Argumenti kryesor i këtij punimi është që shkalla e informalitetit dhe evazioni fiskal reflektojnë në një masë të konsiderueshme praktikat dhe qëndrimin që mbajnë si qeveria e ditës, ashtu edhe agjencitë e saj si Drejtoria e Tatimeve dhe Taksave.
Një problem është cektësia që i karakterizon ato në njohjen e dukurisë së evazionit fiskal. Qoftë qeveria, qoftë Drejtoria e Taksave dhe Tatimeve nuk e quajnë punë të tyre kryerjen e studimeve apo analizave për shkaqet e evazionit të thellë fiskal, për faktorët socialë dhe psikologjikë, apo më thjesht ekonomia e sjelljes.
Problemi i dytë ka të bëjë me praktikat dhe veprimet e ndërmarra prej tyre. Ajo që vëzhgohet është se qeveria e ditës dhe Drejtoria e Taksave dhe Tatimeve karakterizohen nga vënia e theksit tek “plani” i të ardhurave. Drejtoria e Taksave dhe Tatimeve konsideron se detyra e parë dhe e vetme e saj është realizimi i të ardhurave; se realizimi i planit të të ardhurave është aq i rëndësishëm saqë justifikon madje edhe kryerjen e shkeljeve flagarante. Nuk janë fare të pazakonta praktika të tilla antiligjore të caktimit të tatimeve më “të mëdha” në dëm të biznesit.
Problemi i tretë që vëzhgohet ka të bëjë me deklaratën e subjekteve për xhiron dhe të ardhurat e tyre,dhe qëndrimin kontrollin e vetëdeklarimit. Shumë shpesh, administrata tatimore dyshon në vetëdeklarimet e subjekteve duke i akuzuar bizneset për mosdeklarim të të gjithë të ardhurave.
Problemi i katërt është ai i optimalizimit të mbledhjes së të ardhurave tatimore dhe sistemeve e teknologjisë dhe informacionit që mund të ndihmojnë arritjen e kësaj gjëje. Ky problem ka të bëjë me “kapitalin tatimpagues” dhe strategjinë e mbledhjes në maksimum të të ardhurave neto tatimore pa prekur barazinë midis tatimpaguesve. Kjo nënkupton që Drejtoria e Taksave dhe Tatimeve, si dhe doganat të funksionojnë me sisteme dhe database apo soft-e të integruara. Në realitet, DTT i përcakton të ardhurat reale për çdo biznes jo duke përdorur sistemet dhe teknologjinë e informacionit, por në mënyrë selektive, preferenciale, dhe të diferencuar. Kjo mënyrë e të caktuarit të tatimeve dhe taksave, me gjithë përmirësimet sidomos në marrëdhëniet me taksapaguesit e mëdhenj, krijon kushte edhe për evazion fiskal.
Problemi i pestë ka të bëjë me politikat e Qeverisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në raport me atë që në gjuhën fiskale cilësohet si “evazion i ligjshëm”.
Rrugët e mundshme të përballjes me ekonominë informale
Studimi i fundit i OECD-së rreth ekonomisë informale në Shqipëri theksonte se «sfida e Shqipërisë është sesi të lëvizë në një nivel më superior ekuilibri, pa kompromentuar vitalitetin e sektorit të sipërmarrësve dhe pa penalizuar konsumatorët familjarë, duke eleminuar konkurrencën e pandershme dhe pa reduktuar nivelin e përgjithshëm të konkurrencës në ekonomi», pasi “një nivel i lartë i evazionit fiskal përkthehet në një nivel të lartë konkurrence të pandershme dhe në shtrembërime të operacioneve në lidhje me tregjet”.
Nëse luftën kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal do ta shihnim nga perspektiva e kuadrit ligjor, ky punim vë theksin në mbushjen e boshllëqeve dhe përmirësimin e ligjit për shoqëritë tregtare. Sa i rëndësishëm është një legjislacion i mirë për shoqëritë tregtare kjo mund të vëzhgohet në rëndësinë që i jep atij Frits Bolkestein, Komisioneri për Tregtinë pranë Komisionit Europian të BE-së: “Ligjet e shoqërive private dhe çështjet e qeverisjes së ndërmarrjes janë vendosur sot në qendër të agjendave politike në të dy anët e Atlantikut. Ne kemi parë dhe dimë çfarë ndodh nëse shoqëritë nuk drejtohen me eficencë dhe transparencë. Kemi humbje të investimeve dhe të vendeve të punës dhe, në rastin më të keq, që për fat të keq ka mjaft të tillë, aksionerët, punëmarrësit, kreditorët dhe publiku grabiten (dëmtohen).” Për të qenë efikase, lufta kundër evazionit fiskal, nga pikëpamja ligjore, duhet të prekë tre aspekte të shoqërive tregtare: qeverisjen, menaxhimin, dhe administrimin e mirë të tyre, praktikat e kontabilitetit dhe praktikat e auditimit.
Në Shqipëri shoqëritë aksionere shqiptare, qoftë ato me kapital pjesërisht shtetëror apo privat, qoftë ato me disa ortakë privatë, qoftë ato me koncesion, iu mungon qeverisja, menaxhimi, dhe administrimi i mirë. Ka shoqëri, të cilat për disa vite rresht rezultojnë me humbje ose fitim fare minimal. Auditimi i brendshëm i tyre ka konstatuar abuzime, vjedhje në përmasa të mëdha, mallra me dëmtime apo skadim të afatit të qarkullimit dhe përdorimit. Ajo që mund dhe duhet të bëjë një kuadër ligjor efektiv është vendosja e këshillave mbikëqyrëse apo bordeve drejtuese profesionale jo thjesht për t’i shpërblyer disa individë politikisht me pagesa të hamendësuara, por për të realizuar qeverisje më të mirë, për të forcuar rregullat e administrimit dhe të dokumentimit.
Bashkëpunim me ekspertët
Përmirësim mund të bëhet nëpërmjet kuadrit ligjor edhe për kontabilitetin dhe auditimin. Që ligji të kontribuojë efektivisht në luftën kundër evazionit fiskal, ai duhet t’i përcaktojë pasqyrat financiare (bilancet) si dokumenti më i rëndësishëm juridik. Sepse roli i kontabilitetit në biznese si dhe përdorimi i pasqyrave financiare (bilanceve) si një dokumentacion ekonomiko-kontabël i qartë dhe i saktë, në çdo rast i shërben jo vetëm drejtimit korrekt dhe efektiv të biznesit, por dhe vetë shtetit. Problemet që lidhen me kontabilitetin janë dy: niveli profesional jo i duhur i kontabilistëve shqiptarë, dhe mosvlerësimi nga qeveritë shqiptare të rëndësisë së profesionit të kontabilitetit ndonëse në çdo tryezë ku diskutohet politika fiskale dhe lufta kundër informalitetit, kontabilistët, ekspertët kontabël, duhet të jenë të parët, sepse janë ata që hartojnë shifrat dhe pa shifra s’ka as drejtim, as qeverisje.
Pasqyrat financiare (bilancet) nuk kanë arritur të luajnë ndonjë rol në parandalimin e evazionit fiskal dhe ekonomisë informale. Problemet me kontabilitetin dhe pasqyrat financiare duken në faktin që ato ende nuk janë të besueshme për bankat apo aksionerët si përdorues të tyre, nuk janë bazë e qeverisjes dhe e administrimit të shoqërive private, pavarësisht formës aksionere, anonime, sh.p.k. të tyre, nuk janë bërë ende fotografia e njësisë së biznesit, me anë të të cilit të nxirren konkluzione për transparencën e aktivitetit. Në mënyrë që roli dhe ndikimi i kontabilitetit, ekspertit kontabël, dhe pasqyrave financiare të arrijë të jetë pozitiv në raport me ekonominë informale dhe evazionin fiskal, ajo që nevojitet është përmirësimi i legjislacionit të shoqërive tregtare dhe ligjit për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare. Po ashtu, nevojiten rregulla më të forta licensimi dhe përgatitjeje për kontabilistët publikë dhe ekspertët kontabël, si dhe organizma të veçantë mbikëqyrjeje, sepse këta kanë në dorë çelësat e administrimit të ekonomisë.
Evazioni fiskal përfaqëson një krim ekonomik që nuk ka asnjë dallim nga ai krim që kryejnë aktivitetet e ndaluara dhe me rrezik për shoqërinë sepse të dyja këto kategori nxjerrin të ardhura informale, pavarësisht se njëra kategori konsiderohet për të ardhurat që fiton si krim direkt, dhe që duhet të ndëshkohet në çdo formë paraqitjeje, kurse kategoria tjetër konsiderohet si një e keqe më e vogël. Organet tatimore nuk mund të luftojnë dhe fitojnë luftën kundër evazionit fiskal të vetëm, pa “aleatë”, dhe të papajisur me infrastrukturë e teknologji. Për ngushtimin e shtigjeve të evazionit fiskal, krahas hartimit të politikave të mençura dhe efikase, qeveria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tatimeve duhet të marrë në konsideratë dhe mendojë seriozisht si diçka të rëndësishme bashkëpunimin e administratës shtetërore me institucionet dhe shoqërinë civile.
Jo paragjykim: beso dhe kontrollo
Përsa i përket marrëdhënieve shtet-biznes, në mënyrë që lufta kundër informalitetit të suksesojë, nevojitet ndryshimi i atmosferës në marrrëdhëniet mes qeverisë së ditës dhe komunitetit të biznesit. Duhet krijuar mjedis i besueshëm sinqeriteti, transparence, mirëkuptimi, bashkëpunimi e bashkëveprimi midis shtetit, njerëzve që punojnë në administratën shtetërore (sidomos në tatim-taksa, dogana) dhe taksapaguesve (biznesit). Kjo atmosferë mund të ndryshohet në dy mënyra: me ligje e rregulla rreptësisht rigoroze, pa ekuivoke, që në thelb kanë të përcaktuar mirë edhe partneritetin edhe detyrimet reciproke, dhe me ndryshimin e qëndrimit dhe trajtimit që Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tatimeve i bën komunitetit të biznesit. Ky ndryshim qëndrimi duhet të konsistojë në heqjen dorë nga kultura e dyshimit dhe mosbesimit. Paragjykimi dhe vënia në dyshim e ndershmërisë së subjekteve tatimore, siç bën shpesh Drejtoria e Taksave dhe Tatimeve, nuk tregon për një konceptim dhe trajtim serioz të marrëdhënieve me bizneset nga ana e administratës tatimore. Qëndrimi dhe trajtimi ndaj komunitetit të biznesit duhet të ndryshojë nga praktikat e “Paragjykimit” në praktikën “Beso dhe Kontrollo!” Administrata Tatimore duhet ta nisë marrëdhënien me biznesin nga të besuarit e vetëdeklarimit sepse ajo, ka autoritetin dhe fuqinë e plotë jo vetëm të besojë, por edhe të kontrollojë sa i saktë dhe transparent është vetëdeklarimi nga ana e bizneseve. Po ashtu, administrata tatimore ka autoritetin dhe fuqinë që nëse një biznes gënjen në vetëdeklarim dhe shkel ligjin, ta nxjerrë detyrimin sipas ligjit. Administrata tatimore, po ashtu, duhet të rimbursojë biznesin kurdoherë që ajo rezulton se ka gabuar!
Detyrimi optimal tatimor
Përsa i përket vlerësimit të detyrimit tatimor të biznesit, suksesi i luftës ndaj evazionit fiskal mund të shihet në ndryshimet se si përllogaritet apo caktohet masa e detyrimit tatimor optimal. Çështjes së arritjes së shkallës optimale të zbatimit të ligjit tatimor, pak vëmendje i kushtohet edhe nga ekonomistët e financës publike. Studimet teorike të vendeve të zhvilluara prezantojnë se ulja e shkallëve tatimore jep zhvillim të madh ekonomik sidomos në vendet në zhvillim, siç është vendi ynë, me prapambetje ekonomike dhe kulturore të trashëguara që nga Perandoria Osmane. Niveli optimal i tatimit reflekton në një masë të konsiderueshme etapat që kalon ekonomia e një vendi. Për ekonominë shqiptare dhe raportet e saj me administratën, askush (p.sh. konsulentët aktivë të biznesit që kërkojnë ulje tarifash, sidomos shkallëzim të TVSH-së për aktivitetet e konsumit, shërbimit, etj ) nuk prezanton ndonjë studim me tregues realë makro-ekonomikë dhe mikro-ekonomikë, për të na thënë sesa humbet buxheti nga ulja e kërkuar e barrës fiskale dhe sa fiton ajo pjesë që realisht nuk jep kontributin që i takon në këtë buxhet.
Po ashtu, edhe nga pala që mbron me forcë interesat e ngushtimit të të ardhurave të buxhetit nuk i hyn diskutimit sesi të ushtrohet presioni mbi ata që zbatojnë buxhetin, në pushtetin qendror apo lokal, që fondet e buxhetit të përdoren sa më me efektivitet dhe me kosto efektive sa më të ulët të punimeve e shërbimeve publike, që bilancet e situacioni i zbatimit të buxhetit të botohet, për çdo njësi vendore (bashki apo komunë), në një gazetë zyrtare, ku publiku të shikojë transparencën e zbatimit të buxhetit.
Ndryshimi i nivelit optimal të detyrimit tatimor mund të përmirësohet nëse realizohet kombinimi dhe përputhshmëria e dy kushteve: asaj që vetëdeklaron një biznes, pra pasqyrat financiare të paraqitura nga vetë subjektet; dhe verifikimit apo përllogaritjes së të ardhurave të një biznesi përmes sqarimit të pasaktësive apo paqartësive që mund të konstatohen në deklaratat e tyre.
Përsa i përket dokumentimit të veprimtarisë së biznesit, lufta ndaj evazionit fiskal mund të ishte më e suksesshme nëse administrata dhe qeverisja e biznesit në çdo hallkë përsoset nëpërmjet dokumentacionit të kontrolluar mirë me elemente sigurie. Një element këtu që ka hapësirë për ndryshim është ai i faturës tatimore. Për të realizuar këtë, nevojiten ndryshime në dy aspekte. Aspekti i parë ka të bëjë me kompletimin me rregulla fikse të biznesit të vogël, duke e detyruar të deklarojë blerjet dhe të mos ketë asnjë mall në banaqe e rafte pa faturë tatimore. Kjo duhet të shoqërohet me sisteme të informatizuara (IT) të integruara, nga dogana deri tek konsumatori i fundit (kasa), ku të llogaritet mirë vlera e shtuar dhe tatimi mbi të. Kjo do të bëjë që qarkullimi i mallrave nga një hallkë në tjetrën të dokumentohet, po kështu të dokumentohen shitjet nga biznesi i madh tek i vogli, gjë që çon në rritjen e të ardhurave si të biznesit të madh edhe të atij vogël. Aspekti i dytë ka të bëjë me fashën e TVSH-së. Ka eksperienca në botë dhe vende të përparuara që nuk kanë kufi (përjashtime), por të gjithë janë subjekte të TVSH-së. Ndryshimi është shkallëzimi i TVSH-së jo standard 20% siç është aktualisht në vendin tonë, por me shkallëzime 6% apo 7% për artikuj konsumi, shërbime etj. Kjo masë ka të bëjë me përmirësimin e qeverisjes në tërësi nëpërmjet dokumentacionit kontabël, shoqëruar dhe me masa të tjera, si pajisja e të gjithëve me kasa regjistruese e me kompjuter, gjë që, sidomos kjo e fundit, lë shumë për të dëshiruar, përderisa aktualisht në Tiranë, ku veprojnë dhjetëra mijëra subjekte, apo rreth 50% e gjithë biznesit në Shqipëri, kasat nuk përdoret në të gjitha rastet dhe për çdo shitje të realizuar.
Përsa i përket modelit të administrimit, në kushtet e Shqipërisë, me strategjinë e zhvillimit dhe të reformave, mund të aplikohen dhe modele të vendeve te tjera, si Bullgaria, ku administrimi i doganave bëhet nga agjenci të specializuara zvicerane, dhe të ardhurat e buxhetit në këtë hallkë u rritën rreth 3 herë. Në Maqedoni, shkallëzimi i TVSH-së me 5% në turizëm e konsum dhe administrimi nëpëmjet kasave fiskale bëri që në 2-3 vitet e fundit, realizimi i buxhetit të rezultojë me suficit. Përsa i përket tatimeve, mund të aplikohen modelet e vendeve skandinave, të privatizimit të tyre, duke ua besuar agjencive të pavarura private të specializuara, apo duke bërë kontrata me shtetin.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.