Ekonomia italiane në vrull – Kërkesa e brendshme dhe shërbimet nxisin rritjen në T3

Rritja ekonomike e Italisë u përshpejtua në tremujorin e tretë të vitit, duke marrë shtysë nga kërkesa e fortë e brendshme si dhe vrulli i sektorit të shërbimeve, deklaroi Banka Qendrore në vend.
Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit kështu me 0.5% gjatë periudhës Korrik-Shtator, pas një rritje prej 0.3% në tremujorin e dytë të vitit.
Këto janë të dhëna paraprake, ndërsa ato përfundimtare do të jepen nga Instituti i Statistikave në mes të muajit të ardhshëm.
Indikatorët e Bankës Qendrore sinjalizojnë një zgjerim të prodhimit ekonomik që vazhdon si pasojë e kërkesës së fortë të brendshme.
“Zgjerimi duket se është i përhapur, duke përfituar nga sektori i shërbimit dhe nga industritë jashtë asaj të ndërtimit, thuhet në buletinin e Bankës së Italisë.
Muajin e kaluar, guvernatori, Ignazio Visco deklaroi se, ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës me shumë gjasa do të rritet me një normë prej rreth 1.5% gjatë këtij viti, për të konfirmuar të njëjtën normë rritje vitin e ardhshëm.
Këto projeksione janë në linjë me ato të qeverisë. Në rast se këto projeksione do të jetësohen, atëherë borxhi publik, thotë Banka Qendrore do të bjerë me 0.4 pikë përqindje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.