Ekonomia italiane rritje mbi projeksionet, por rimëkëmbja ende larg
Ekonomia italiane u rrit me 0.2% gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar në krahasim me tremujorin paraardhës, konfirmojnë të dhënat e fundit të institutit të statistikave në vend.
Sa i përket rritjes në terma vjetorë gjatë tremujorit të fundit, Istat ka rishikuar në territor negativ normën e rritjes, në 1, nga 1.1% që vlerësohej paraprakisht.
Kërkesa e brendshme vlerësohet të ketë kontribuar me 0.4 pikë përqindje në rritjen me bazë tremujorësh, duke i dhënë edhe shtysën më të madhe prodhimit.
Rritja ekonomike gjatë tremujorit të tretë të vitit ndërkohë vlerësohet në nivele të pandryshuara, në vetëm 0.3%. Të dhënat vlerësohen si pozitive dhe një lajm i mirë për qeverinë e Paolo Gentilonit, i cili morri drejtimin e vendit në një kohë aspak të mirë. Italia mbetet një ndër vendet më të sëmura të Eurozonës.
Projeksionet për vitin aktual flasin për një normë rritje të ekonomisë prej 1%, çka tregon edhe njëherë se rimëkëmbja e ekonomisë së tretë më të madhe të Evropës është ende shumë larg.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.