Ekonomia kineze kalon objektivin – Rritet me 6.9%, ndikojnë shpenzimet qeveritare dhe tregu i pronave
Ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit me 6.9% në tremujorin e parë me bazë vjetore, nxitur nga shpenzimet e mëdha qeveritare në infrastrukturë dhe tregut të pronave që po tregon shenja të mbinxehjes.
Analistët prisnin një rritje të ekonomisë me 6.8%, që është e njëjta normë me periudhën Tetor-Dhjetor 2016.
Norma për tremujorin e parë të këtij viti ishte më e shpejta që prej mesit të 2015-ës. Qeveria kineze ka caktuar një objekti të rritjes me 6.5% për të gjithë 2017-ën. Ndërkohë që të dhënat kanë qenë optimiste deri më tani, analistët thonë se tremujori i parë do të jetë rezultati më i mirë për vitin, ndërkohë që ndikimi i stimujve fillon të zbehet dhe ndërsa autoritetet fillojnë trajtimin e flluskës në tregun e pronave.
Me bazë tremujore, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 1.3%, krahasuar me 1.7% rritje në Tetor-Dhjetor. Të dhëna të tjera nga zyra e Statistikave treguan se investimet në asete fikse për tremujorin u rritën me 9.2% me bazë vjetore, ndërsa investimet në prona u përshpejtuan në 9.1%.
Për muajin Mars, prodhimi industrial u rrit me 7.6%, ndërsa shitjet me pakicë me 10.9%, duke sjellë një optimizëm për tremujorin e dytë.
Politikëbërësit në Kinë kanë marrë një qasje më neutrale mbi politikat monetare, ndërkohë që i duhet kushtuar rëndësi riskut financiar dhe mbikapacitetit industrial.
Treguesi më i gjerë i kreditit të ri është rritur sipër projeksioneve në muajin e kaluar, në një kohë që bankingu hije (P2P) është përshpejtuar. Financimi agregat u rrit me 308 miliardë dollarë për muajin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.