Ekonomia ribashkon kryeministrat – Ballkani Perëndimor takim në Sofje. Rama, Ahmetaj dhe Gjiknuri të pranishëm
Krahas samitit të shumëpritur të Sofjes, mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, po në Sofje do të zhvillohet një tjetër takim mes liderëve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kryeministrit bullgar, nën organizimin e Forumit Ekonomik të Vjenës.
Takimi në të cilin do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Rama i cili do të mbajë edhe një fjalim, së bashku me liderët e tjerë të rajonit, do të mbahet më 18 Maj në kryeqytetin bullgar. Më datë 16 Maj ndërkohë, gjatë punimeve të forumit të biznesit që do të mbahet paraprakisht do të jenë të pranishëm edhe ministri i ekonomisë dhe financave Arben Ahmetaj si dhe ai i infrastrukturës dhe energjetikës, Damian Gjiknuri.
Në forumin e 16 majit do të jetë edhe Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian, Komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn dhe Donald Tusk. Tema kryesore e bisedimeve mes liderëve do të jetë ekonomia dhe projektet e përbashkëta. Ekspertët e Forumit të Vjenës do të prezantojnë një sërë alternativash për të zhvilluar ekonominë në rajon përballë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor.
Një tjetër qëllim i kësaj iniciative është krijimi i një ure lidhëse mes presidencës bullgare dhe asaj austriake, që do të hyjë në fuqi më datën 1 Korrik të këtij viti. Të pranishëm gjatë forumit të Sofjes do të jenë edhe përfaqësues të biznesit. Paçka se qëllimi është që të vlerësohen potencialet në sektorë të ndryshëm, infrastruktura pritet të jetë sërish në qendër të bisedimeve, për shkak se mbetet një ndër pengesat kryesore të integrimit, sidomos atij ekonomik të rajonit, dhe për shkak se një sërë projektesh vijojnë të mbeten pezull.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.