Ekonomia “rrëzon” qeverinë – Itali, Presidenti i thotë jo marrëveshjes 5 yjet- L.Veriut, drejt zgjedhjeve
Italia nuk do të ketë një qeveri mes 5 Yjeve dhe ligës së Veriut, të paktën këtë legjislaturë. Marrëveshjes mes dy liderëve populistë për të drejtuar vendin dhe krijuar qeverinë e ndryshimit i është thënë jo nga Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella.
Ky vendim ka hapur një debat të gjerë si dhe ka vendosur një precedent të ri. Presidenti nuk ka pranuar emrin e Paolo Savonës në krye të ministrisë së ekonomisë dhe financave, ndërkohë që dy partitë nuk janë tërhequr nga ky emër.
Për rrjedhojë, kryeministri i mandatuar, Giuseppe Conte ka dhënë dorëheqjen pa mundur të ulet asnjë ditë të vetme në postin e projektuar. Dy liderët ndërkohë, Di Maio i “5 Yjeve” dhe Salvini i Ligës së Veriut janë shprehur me tone mjaft të ashpra ndaj Presidentit të Republikës, duke e akuzuar për një komplot.
Madje, Di Maio shkoi edhe më tej duke deklaruar se ky komplot udhëhiqet nga agjencitë e vlerësimit, duke i`u referuar kështu paralajmërimit të pazakontë të Moody`s ditën e Premte, në kulmin e negociatave për formimin e qeverisë, se ka nisur procedurat për deklasimin e borxhit sovran të vendit, rrjedhojë e qeverisë populiste.
“5 Yjet” po diskutojnë seriozisht mundësinë e shkarkimit të Presidentit të Republikës nëpërmjet ligjit të impeachmnent.
Vetë Presidenti, pas këtij vendimi të paprecedentë deklaroi se, nuk ishte aspak e lehtë, por se nga ana tjetër, kushtetuta e detyron që të mbrojë italianët dhe kursimet e tyre, e për këtë arsye nuk mund të dekretonte në krye të ekonomisë dhe financave një njeri që ka dalë haptazi kundër euros.
Presidenti ka vendosur kështu që të mandatojë një qeveri teknike, me në krye Cottarellin, një ekonomist, apartiak, i cili kundërshtoi programin ekonomik të Ligës dhe “5 yjeve”.
Qeveria teknike do të ketë për detyrë të udhëheqë vendin dhe të zhvillojë zgjedhjet e reja, të cilat duken se janë të pashmangshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.