Ekonomia, rruga për në “BE” – Hahn: Ballkani ka shumë potencial, do vijojmë ta ndihmojmë

Komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë në Komisionin Europian, Johannes Hahn mori fjalën në çeljen e forumit të biznesit që po zhvillohet në Trieste të Italisë në të njëjtën ditë me samitin e nivelit të lartë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Hahn firmosi edhe një fond shtesë për ndërmarrjet e rajonit, që janë edhe në fokus të këtij forumi.
“Ne jemi këtu për të firmosur një kontratë që vlen 48 milionë euro për sipërmarrjet e Ballkanit Perëndimor. Këto para do të na mundësojnë që të arrijmë në rreth 6000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ne synojmë që të mundësojmë rreth 250 milionë euro në formë huaje ndaj këtyre bizneseve.
Ky nuk është fillimi i diçkaje të re, por vazhdimi i një procesi që zgjat prej 10 vitesh dhe ne kemi shpenzuar rreth 220 milionë euro deri më tani. Gjithsesi, unë mendoj se, rajoni ka një potencial të madh të pashfrytëzuar, dhe kjo është arsyeja se përse është e rëndësishme që suporti, e sidomos ai financiar të vijojë.
Përgatitja ekonomike është një element kyç për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Europian. Programi është i rëndësishëm jo vetëm për të tërhequr investitorë të huaj, por edhe për ata vendas apo brenda rajonit”.
Ekonomia është guri i betejës për Ballkanin Perëndimor në luftën me kohën, për t’u integruar sa më shpejt në bashkimin Europian. Këtë e konfirmon jo vetëm prania e Hahn në forumin e biznesit, por edhe iniciativat e tij të shumta në drejtim të bashkëpunimit sa më të madh mes vendeve të rajonit, e sidomos ideja e tij për një union doganor ballkanik.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.